Lajme

Mediat serbe: “Pesë shtete janë gati ta tërheqin njohjen e Kosovës”


Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës

“Pesë shtete janë gati dhe do ta tërhiqnin njohjen e pavarësisë së Kosovës nëse Serbia do t’ua kërkonte”, shkruajnë mediat në Serbi.

Fillimisht lajmi ishte dhënë nga gazeta serbe Novosti, që kinse ka mësuar nga burimet e veta brenda qeverisë së Serbisë, se këto pesë vende po presin që t’u thotë Serbia dhe menjëherë do të vepronin.

Këtë lajm e kanë raportuar edhe media të tjera serbe, si agjencia shtetërore e lajmeve Tanjug.

Megjithatë, në raportim nuk thuhet se cilat janë këto pesë vende.

Sipas po të njëjtave media, arsyeja përse nuk po ndodhë tërheqja e njohjes, është për faktin se Serbia po respekton marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington, ku një nga pikat thotë se shteti serb duhet ta ndalë fushatën lobuese kundër njohjes.

“Nëse Prishtina shkel marrëveshjen sipas së cilës duhet të përmbahet nga aplikimi për pranim në organizatat ndërkombëtare, Beogradi do t’u kërkojë atyre vendeve të aktivizojnë çnjohjen, shkruan Tanjug, duke cituar artikullin e Novostit.

E përditshmja Novosti është një nga mediat e afërta me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore