Kosova

Mediat ruse minimizojnë kërcënimin ndaj Kosovës para ndërhyrjes së NATO-s


Foto nga arkivi.

Mediat ruse përmes disa raportimeve kanë bërë përpjeke që të minimizojnë kërcënimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, para ndërhyrjes së NATO-së në vitin 1999.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve ‘Sputnik’, më 25 mars mohoi shkakun e ndërhyrjen ushtarake si dhe faktin që ndaj shqiptarëve në Kosovë po ushtrohej spastrim etnik.

“Para një çerek shekulli, bota e kuptoi se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e shohin globin si një fushë të tyre lojërash, ku bëjnë çfarë të duan”, shkruante Sputnik.

“Më 24 mars, 1999, shtetet perëndimore filluan të bombardojnë Beogradin, kryeqytetin e Jugosllavisë, nën pretekstin e sforcuar ‘për të mbrojtur’ kosovarët”, vazhdonte Sputnik.

Përmes një shkrimi dy studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare James Goldgeier dhe Gordana Griç, argumentuan se ndërhyrja e NATO-së në vitin 1999 duhet të shqyrtohet në kontekstin e “shembullit më të madh të vrasjes në masë në Evropë” – gjenocidit në Bosnjë që Serbia dhe serbët e Bosnjës kryen gjatë luftërave jugosllave.

“Për më se një vit, bashkësia ndërkombëtare u përpoq të parandalojë regjimin e Millosheviçit për të mos sulmuar popullatën civile shqiptare në Kosovë, duke i vendosur sanksione në tregti dhe investime, ngrirë pasurinë dhe duke i vënë embargo karburantesh dhe armësh”, kanë thënë studiuesit, raporton Zëri i Amerikës.

Goldgeier dhe Griç, përmendin edhe dëbimet që bëheshin në atë kohë.

“Ndërkohë që shkeljet e të drejtave të njeriut, dëbimet në masë dhe numri i të vrarëve filluan të rriten dhe përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar dështuan, u bë e qartë që ndërhyrja e drejtpërdrejt ushtarake mbeti opsioni i vetëm,” shkruajnë studiuesit Goldgeier dhe Griç.

Studiuesi i gjenocidit Gregory Stanton, thotë se vet shprehja “spastrim etnik” ishte “shpikur nga Millosheviçi dhe propaganduesit serbë si eufemizëm për dëbimin me dhunë dhe gjenocidin.”

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore