Lajme

Mediat e regjimit në Serbi: Vuçiç dhe Bërnabiç po planifikojnë dorëheqjen


Aleksander Vuçiç dhe Ana Brnabiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të hënën do t’i drejtohet popullit serb dhe siç raportojnë mediat e afërta me regjimin atje, do të propozojë dorëheqjen e tij dhe të kryeministres serbe, Ana Bërnabiç. Rrjedhimisht, mbajtjen e zgjedhjeve të parlamentare dhe presidenciale.

Të shtunën është mbajtur mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të Partisë Progresiste Serbe, në të cilën ka marrë pjesë edhe presidenti serb, njëherësh udhëheqës i kësaj partie, i cili, sipas mediave serbe të afërta me pushtetin, ka propozuar tre variante për vendimet që pritet t’i marrë të hënën.

“Pranimi i dorëheqjes së të gjithë kabinetit qeveritar të Ana Bërnabiç-it; Dorëheqja e përbashkët e qeverisë dhe presidentit dhe shkuarja në zgjedhje të përgjithshme në të cilat Vuçiç nuk do të kandidonte për president; Dorëheqja vetëm e presidentit”, shkruan “Informer” duke u thirrur në burime.

Sigurisht që çdo vendim do të konfirmohet në Asamblenë e Partisë Progresiste Serbe më 27 maj, shkruajnë tutje mediat serbe. Ato ndër të tjera shkruajnë se presidenti serb të hënën në mbrëmje do të shpallë “vendime të gjera politike që do ta ndryshojnë Serbinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore