Shqipëria

Me turp për intimitetin


Shëëët…

E thënë nën zë, kjo është e gjitha çka mbetet kur i vjen radha të folurit mbi intimitetin.

Se kush ndodhet përqark e etiketon këtë tematikë si krejt vetjake. Mbase edhe të turpshme për t’u folur.

E kur dikush e harron në pafajësi atmosferën mbytëse të moslejimit dhe e ngre zërin, i kundërvihen.

Fundja, kështu e kanë tabutë. Fillimisht, duhen thyer.

Turpi toksik i së tërës

Një zë i fortë i të drejtave të grave, Zhaklin Lekatari, tregon për Albanian Post se të folurit për marrëdhëniet seksuale nuk është një turp që lidhet vetëm me vajzat.

“Nuk ka pse të krijohet një ndasi gjinore për sa i përket problematikës së komunikimit rreth seksualitetit, edukimit seksual, marrëdhënieve seksuale, identitetit seksual apo orientimit seksual”, dallon ajo.

Pa veçuar vetëm vajzat, për të, shoqëria shqiptare nuk flet dot për tematika tabu.

Dhe këtë, e sheh tejet problematike.

“Është turp toksik…është ai që na bën të kemi ankth, stres, mos të themi të vërtetën, që nëpërmjet hipokrizisë të manipulojmë. Kjo për të evituar thënien e së vërtetës, duke u gjendur në situata që dëmtojmë edhe veten”, thotë Lekatari.

Të gjithën, ajo e sheh në rrafshin historik.

“Janë faktorët historik, politik, kulturor, social, ekonomik, që e bëjnë shoqërinë tonë atë që është. Por, edhe nëse shohim të kaluarën e afërt, sistemin komunist, kemi një zhdukje të elitave, një homogjenizim të shoqërisë, një vrasje të identitetit dhe diversitetit dhe këtë e kemi trashëguar”, shpjegon ajo.

Madje, tema të kësaj natyre duhen parë përkrah zhvillimit shoqëror.

Sipas aktivistes, mënyra sesi shoqëritë e përjetojnë seksualitetin përkon me zhvillimin e tyre dhe me emancipimin e shoqërisë. Kjo është edhe arsyeja pse shoqëria shqiptare e ka të vështirë të flasë për marrëdhëniet seksuale.

“Nëse shohim 30 vitet e fundit, nga demokracia e tutje, nuk kemi një strategji afatgjatë për zhvillimin shoqëror, nuk kemi buxhete për edukimin, emancipimin, informimin, vetëdijësimin e shoqërisë. Çdo gjë i është lënë në dorë rastësisë”, veçon ajo.

Po tani, pse kur flitet, flitet ashpër?

“Seksualiteti trajtohet me ngjyra vulgare, sepse gjithmonë është parë si diçka e pisët, që duhet mbajtur brenda katër mureve të shtëpisë për të cilën nuk duhet folur e që nuk është pjesë e identitetit të njeriut”, sqaron Lekatari.

Për këtë, ajo mendon se duhet kthyer koka nga periudha e errët.

“Periudha e komunizmit e deseksualizoi njeriun. Krijoi njeriun e ri të moralshëm, i cili nuk duhet të bënte qejf, nuk duhet të kishte lukse, por që të kishte punën e të ishte modest. Kështu, sistemi i hyri shoqërisë në krevat, duke shërbyer edhe si rregullator në marrëdhëniet burrë-grua”, thekson aktivistja.

Kështu, e trashëguar, kjo periudhë ka definuar mënyrën se si krijojmë marrëdhëniet me njëri-tjetrin, ato shoqërore dhe ato intime.

Mundësi për ndryshim?

“Situata mund të ndryshonte me vullnet. Nëse do kishte vullnet për të përmirësuar gjendjen, nëse do kishte zbatim dhe monitorim të ligjeve, një shtet ligjor në të cilin qytetarët të kishin besim, struktura apo strategji për edukimin e shoqërisë”, sugjeron ajo.

Gjithashtu, nëse do të kishte një lëvizje qytetare që të kërkonte emancipimin e shoqërisë dhe të ishte më e organizuar.

“Duke parë organizimin e sotëm politik do të duhej që të zbardheshin krimet e së kaluarës, vetëm me transparencë në të gjitha situatat tragjike dhe absurde që kanë ndodhur dhe duke zbatuar ligjin, vetëm atëherë mund të fillojmë të riformatojmë shoqërinë”, thekson Lekatari.

Me rëndësi është edhe planifikimi buxhetor mbi edukimin.

Sipas saj, “duhet vullneti, vullneti politik nga lart, por edhe vullneti dhe vetëdijësimi i popullit nga poshtë. Këto të dyja duhet të përkojnë, të takohen”.

Ndërkaq, panorama e përgjithshme nuk është tërësisht e zymtë, ndryshime ka pasur.

“Ndër vite ka përmirësime të vogla. Ama janë tërësisht të parëndësishme, sepse nuk ka pasur vullnet që këto përmirësime të ndodhin. Është një tranzicion që ende vazhdon sepse nuk ka vullnet për ta ndryshuar situatën”, përmbyll Lekatari.

Zhurmë kur flitet

Sociologe Entela Binjaku tregon për Albanian Post se në vendin tonë, të flasësh për seksin dhe marrëdhëniet seksuale nuk është e thjeshtë.

“Në shumë shoqëri, përfshirë tonën, kjo temë është ende tabu. Por mirëqenia seksuale shkon krah për krah me atë mendore, fizike dhe emocionale”, sqaron Binjaku.

Për të, komunikim i mirë mes çiftit, stili i rregullt i jetës dhe marrëdhëniet e mira seksuale ndihmojnë përballimin e çdo vështirësie në çift.

“Arsyet për këtë hezitim apo vështirësi janë të ndryshme, si mënyra se si jemi rritur në një kontekst kulturor ku të flasësh për seksin ka qenë e ndaluar, ose çështje turpi”, thotë sociologia.

Mundet që, gjatë jetës, të kemi kaluar përvoja seksuale të atilla që na vjen zor të flasim kur hapet kjo temë, sipas saj, ose mbase nuk kemi aftësi të mira komunikimi për të folur për të.

Dhe komunikimi duket se është pika e kthesës.

“Ndonjëherë ka disa pika të vështira në marrëdhëniet seksuale saqë krijojnë sërish vështirësi për të folur për seksin. Komunikimi është gjysma e punës. Në këtë pikë jemi deficitarë sepse edhe vetë sfondi ynë kulturor është i tillë”, shpjegon ajo.

Binjaku ravijëzon se mjaft nga problemet që lidhen me marrëdhëniet seksuale nuk kemi as ku t’i trajtojmë.

“Nuk kemi terapist të seksit, as terapist në çift që të na ndihmojmë të gjejmë zërin seksual te vetja, sikundër edhe te mjekët nuk është se gjejmë përherë komunikimin e duhur”, shton ajo.

Por pse veçanërisht vajzat kanë më turp dhe pse kur flasin bëhet zhurmë?

“Në shoqërinë tonë, te vajza apo gruaja nuk është konsideruar ndonjëherë nevojë trajtimi i kësaj teme. Shoqëria, këtë aspekt te gruaja apo vajza, e ka anashkaluar si të parëndësishëm. Ia ka njohur këtë rëndësi vetëm burrit dhe seksin si punë për të”, vijon Binjaku.

Në kulturën tonë, edhe marrëdhënia problematike në çift nuk është trajtuar ndonjëherë me dy aktorë, veçon sociologia. Në mënyrë tradicionale, kjo temë ka njohur burrin si ‘problem’ dhe gruan nuk e ka përfshirë ose nuk e ka konsideruar fare.

Thënë ndryshe prej saj, ky është konteksti kulturor dhe edukativ që është përcjellë në breza.

“Zakonisht, problemet seksuale apo nevojat e gruas janë fshehur, mbuluar, ose nuk janë konsideruar si të rëndësishme. Ndaj, dhe kur një grua nis e flet apo komunikon më lirshëm për këtë temë, ajo krijon zhurmë”, tregon Binjaku.

Kjo shpjegon edhe faktin se pse shoqëria i quan këto tema vetjake.

Madje, edhe rëndësinë e trajtimit të tyre e sheh vetëm kur ka lindur një problem. Nuk e sheh si nevojë për mirëqenie të individit që reflektohet edhe në jetën familjare apo në çift, përmbyll ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore