Kosova

Më shumë se 100 milionë euro grante nga BE-ja dhe Gjermania për Kosovën


Kosova do të përfitojë më shumë se 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe nga Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave.

Në një komunikatë për media lëshuar nga Qeveria e Kosovës, thuhet se Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit, nënshkruan të mërkurën marrëveshje financimi në vlerë prej mbi 100 milionë euro për zbatimin e projekteve për Trajtimin e Ujërave të Zeza dhe Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta.

“Të dy projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat ballafaqohet Kosova”.

Ndërkaq, projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive.

“Projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza që është financuar nga Qeveria Franceze, me ç’rast paraqesin investimin më të madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë”.

“Për realizimin e këtij projekti, Qeveria Gjermane përmes KfË-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht”.

Gjithashtu, projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.

“Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro”, vazhdon tutje komunikata.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, u shpreh se “këto projekte pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit”.

Kurse, Hekuran Murati, ministri i Financave ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe BE-në si partnerë kyç në avancimin e agjendës zhvillimore të Kosovës.

Ai theksoi se “marrëveshjet e nënshkruara sot mundësojnë dy projekte shumë të rëndësishme, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës duke avancuar vendin tonë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm”.

Ndërsa, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu potencoi se “Kosova është partner proaktiv dhe konstruktiv, dhe ky bashkëpunim i bazuar në vlerat e BE-së, do të mundësojnë përparimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kemi tranzicionin e duhur drejt ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së ripërtëritshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore