Shqipëria

Me aspektin ligjor për sigurinë kibernetike, do ta ndihmojë OSBE-ja Ballkanin


Një takim i parë dhe i frytshëm është zhvilluar në Shkup të Maqedonisë së Veriut dhe të tjerë, pritet ta ndjekin.

Do të jetë pikërisht Organizata për Sigurinë dhe Bashkëveprimin në Evropë (OSBE), ajo e cila do të japë ndihmën e saj për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, lidhur me çështjet ligjore sa i përket sigurisë kibernetike.

Kursi i parë, i cili u zhvillua ndërmjet 13 dhe 17 shkurtit, është cilësuar si i një rëndësia jetike nga vetë organizata.

Mbi të gjitha, në kushtet e sotme, kur siguria kibernetike po cenohet ndjeshëm në gjithë Evropën dhe përmirësimi jo vetëm i mbrojtjes, por edhe i sistemit ligjor sa i përket çështjes, kanë nevojë për përmirësime.

“Si një kolonë madhore rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ligji ndërkombëtar, kështu si qëndron, i jep drejtime ndërlidhëse përdorimit dhe rregullimit të informacionit apo teknologjive të komunikimit ndërmjet shteteve. E gjitha, si shërbim kundër veprimeve dashakeqe në cenimin e sigurisë kibernetike”.

Kështu tha gjatë kursit pesë-ditor Vladimir Anchev, ministër i Mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut, i cili ishte edhe mikpritës i takimeve.

Kanë qenë po ashtu të pranishëm edhe 28 delegatë nga Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Moldavia, Serbia, Turqia dhe vetë Maqedonia e Veriut, ata të cilët morën pjesë në këtë kurs të parë interaktiv mes palëve.

Pjesa e cila u shqyrtua më së shumti, është aplikueshmëria e ligjit në veprimet e sigurisë kibernetike në kohë paqeje, si edhe aplikimi i specializuar më pas, për kontekste të caktuara e rrethana të ndryshme, në të cilat shtetet mund të ndodhen.

Kjo është parë edhe si një mundësi për të mbledhur në një vend ekspertë të sigurisë kibernetike në rajon, në mënyrë që ata vetë të krijojnë lidhje dhe fije bashkëpunimi sa i përket programeve të caktuara.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Shqipëria, gjatë vitit 2022 janë goditur nga sulme të vazhdueshme kibernetike në sistemet qeveritare dhe ato të rendit e sigurisë.

Në Tiranë, këto sulme erdhën nga Republika Islamike e Iranit, siç e ka përcaktuar një raport i FBI-së amerikane dhe Qeverisë shqiptare, gjë e cila çoi më pas edhe në shterimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, me vendim të prerë nga pala shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore