Sport

McGregor vs Poirier 3 shtyhet për një datë të re


UFC planifikon të shtyjë datën e ndeshjes së shumëpritur midis Conor McGregor dhe Dustin Poirier, fillimisht e përcaktuar për muajin maj, për në korrik.
Plani fillestar i UFC-së ishte të realizonte trilogjinë e irlandezit McGregor me amerikanin Poirier në maj, por pamundësia për të finalizuar një kontratë midis tyre çoi në zhvendosjen e planit kalendarik.

Ky informacion konfirmohet nga Ariel Helwani, gazetar i gjigandit të medias sportive amerikane ESPN, i cili shkruan në Twitter:

“Javët e fundit, kishte ende një shpresë se McGregor – Poirier 3 do të zhvillohej jo më larg se 15 maji, por po merr më shumë kohë nga ç’parashikohej/pritej, ndaj planet kanë ndryshuar dhe data është  lënë për një tjetër herë”, shkruante Helwani, i cili nuk ndalet aty. Më tej, sqaronte “Për momentin është jashtë kartës së 12 qershorit, kështu që pritet të vendoset brenda 10 korrikut. Të shohim”, mbyllet shkrimi i Helwani-t.

Poirier, i cili mbetet i preferuari midis tifozërisë, fitoi revanshin kundër McGregor-it në ndeshjen kryesore të edicionit të 257-të të UFC-së në muajin janar.

Në fakt, veç faktit se humbi në raundin e dytë nën dritat e stadiumit “Etihad” në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara, shkelmimet që pësoi në pulpë McGregor-i, ishin aq të forta dhe të mprehta saqë trajneri i tij John Kavanagh, e ka marrë seriozisht programin për të parandaluar lëndime të tjera në pulpë.

Kavanagh beson se ish-kampioni në dy kategori të ndryshme (Conor), e ka përftuar plotësisht përvojën nga ndeshja e kaluar me Poirier, si dhe ka asimiluar çka i është mësuar në seancat e kampit stërvitor.

“Shkelmat në pulpë duhen studiuar hollësisht; si t’i përdorim dhe si të mbrohemi më së miri prej tyre”, tha Kavanagh për BT Sport.

“Jemi të bindur se e kemi rregulluar atë çështje tashmë”.

I ftuar në podcast-in e Joe Rogan-in, komentator i UFC-së, figurë publike dhe ndër gazetarët më të njohur të arteve marciale mikse, sikurse edhe pronar i një prej podcast-eve më të famshme në botë “Joe Rogan Experience”, Poirier u pyet nëse mendon se e ka “shkoduar” McGregor-in:

“Nuk mendoj se mund të zbërthesh stilin e dikujt tërësisht. Ai (McGregor) do të përshtatet dhe do të kemi një sfidë tjetër. Njëlloj si e para nga e dyta, ashtu do të jetë edhe ndeshja e tretë nga dy të parat – totalisht ndryshe”, tha Poirier.

“Në fakt, veç studimit të Conor-it, jam unë ai që duhet të ndryshoj stil dhe strategji”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore