Lajme

McAllister: Koha e fundit që BE-ja t’i vendosë sanksione Dodikut


David McAllister

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, ka thënë se është koha e fundit që Bashkimi Evropian të vendosë sanksione ndaj presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska, Milorad Dodik, i cili veçse është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

Në një intervistë për “Al Jazeera Balkans”, ai ka theksuar domosdoshmërinë e sanksionimit të udhëheqësit të serbëve të Bosnje dhe Hercegovinës dhe përkrahjen e BE-së për Përfaqësuesin e Lartë në Sarajevë, Christian Schmidt, i cili anuloi dy ligje anti-Dejton të miratuara nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska.

“Bashkimi Evropian duhet të pranojë se ne duhet të veprojmë urgjentisht. Veprimet e Dodikut tashmë kanë kërcënuar aksesin e njësisë së Republikës Srpska në fondet e BE-së, duke minuar projekte të rëndësishme të infrastrukturës. Parlamenti Evropian i bëri thirrje sërish Këshillit të Evropës që të shkojë përtej deklaratave verbale”.

Schmidt, më 1 korrik, ndaloi çdo proces në lidhje me ligjet e asamblesë së entitetit serb për mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Gazetën Zyrtare të Republikës Srpska.

“BE-ja duhet të ndërmarrë veprime konkrete kundër atyre që me fjalët dhe veprimet e tyre vazhdojnë të minojnë me vetëdije dhe sistematikisht rendin kushtetues dhe territorial të Bosnje dhe Hercegovinës. Është koha e fundit që BE-ja dhe vendet anëtare të vendosin sanksione ndaj Dodikut”, ka thënë McAllister.

“Parlamenti Evropian ka përsëritur mbështetjen e tij që Përfaqësuesi i Lartë të përmbushë mandatin e tij të plotë. Kjo përfshin përdorimin e kompetencave të Bonit – largimin e zyrtarëve, miratimin e ligjeve dhe krijimin e autoriteteve të reja – si mjetin e fundit”, ka shtuar ai.

Ndryshe, presidenti i entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili ka mbështetjen e heshtur të Rusisë dhe Serbisë, prej vitesh mbron idenë e ndarjes së entitetit serb për t’u bërë pjesë e Serbisë. Megjithatë, një veprim i tillë nuk ka gjasa të fitojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pjesës më të madhe të Perëndimit.

Autoritetet e Republikës Srpska refuzojnë kategorikisht autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe zbatojnë një qëndrim konfrontues ndaj shteteve perëndimore. Dodik haptazi bën thirrje për pavarësi dhe flet publikisht për bashkimin e entitetit serb me Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore