Gjykata Speciale

Mbrojtja e Selimit dëshmitë po i merr në seancë të mbyllur


Rexhep Selimi.

Gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit të katërt nga mbrojtja e të akuzuarit Rexhep Selimi.

Edhe kjo seancë sikurse seancat e kaluara është duke u zhvilluar e mbyllur për publikun.

Pothuajse të gjithë dëshmitarët në këtë proces kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca kryesisht të mbyllura për publikun.

Krejt çka dihet nga dëshmitë e këtyre dëshmitarëve, janë numrat rendorë të dëshmitarëve të cilët tregohen në fillim të seancës dhe pak gjëra, gati të parëndësishme, të cilat i prezanton gjyqtari i trupit gjykues me të nisur procesi.

Më pas kalohet në “seancë të mbyllur” dhe përveç atyre që janë prezent në sallë të gjykimit, askush tjetër nuk di mbi deklaratat e dëshmitë e dhëna nga këta dëshmitarë.

Një ditë më parë, u intervistua dëshmitari i katërt me kodin – 4748. Të martën e 16 majit ai u intervistua nga avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

Dëshmitari i katërt, kishte filluar të përgjigjet në pyetjet e avokatit Emmerson më 15 maj në sesionin e pasdites dhe ka vazhduar gjatë ditës së djeshme në sesion privat.

Kurse, të enjten e 11 majit kishin përfunduar pyetjet për dëshmitarin e katërt në sesion privat, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ndërkaq, për të premtën ishte planifikuar të fillojnë kundra-pyetjet nga mbrojtësit.

Gjithashtu, të enjten trupi gjykues kishte rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Krasniqit për përkthimin e shënimeve paraprake të ZPS-së.

Gjatë seancës së 10 majit 2023, mbrojtësi i Jakup Krasniqit, avokati Aidan Ellis, kishte kërkuar që dokumentet e dorëzuara nga Prokuroria, të përkthehen në gjuhën shqipe, pasi që sipas tij Krasniqi “nuk di të lexojë në gjuhën angleze”.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore