Lajme

Mblidhet Këshilli i kryetarëve të komunave të Kosovës, diskutojnë për masat anti-COVID


Këshilli i kryetarëve të komunave të Kosovës, do të mblidhet për të diskutuar në lidhje me zbatimin e masave anti-COVID, të cilat do të përfundojnë më 18 prill.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Me kërkesën e bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, sot do të mblidhet Këshilli i Kryetarëve të Komunave të Kosovës, që të diskutojë për zbatimin e masave anti-COVID, masave të fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, në këtë mbledhje do të diskutohet se sa është realizuar qëllimi i këtyre masave.

“Do të diskutojmë për ndikimin e këtyre masave, efektin e tyre, sa kanë ndikuar ato në terren, në ekonomi, në bujqësi, cili do të jetë mendimi i kryetarëve të komunave dhe çfarë duhet të ndërmerret pas datës 18 prill, ditën kur edhe masat aktuale do të rishqyrtohen”, është shprehur ai.

Kur pyetet pse është e nevojshme kjo mbledhje, ai theksoi “sepse komunat e dinë më së miri se si mund të zbatohen këto masa dhe cilat mund të jenë rezultatet e masave të ndryshme që ndërmerren nga niveli qendror”.

Ibrahimi ka treguar se kjo mbledhje do të fillojë në orën 10:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore