Lajme

Mbi 50 raste të vdekjeve nga problemet e shëndetit mendor në komunitetin shqiptarë në SHBA


Ilustrim.

Fenomeni i shëndetit mendor ka filluar që të shfaqet edhe tek komuniteti shqiptaro-amerikane.

Gjatë dy viteve të fundit mbi 50 raste të vdekjeve kanë ndodhur në komunitetin shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për shkak të problemeve të shëndetit mendor.

Terapistet shqiptaro-amerikane në Miçigan, Juliana Pepaj dhe Entela Kaba, kanë nisur të ofrojnë konsultime dhe terapi falas për pjesëtaret e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Nga ata është thënë se qëllimi i nismës është krijimi i një hapësire të sigurt, pa gjykime dhe frikë, ku komuniteti shqiptaro-amerikan mund të diskutojë hapur për problemet e shëndetit mendor.

“Shëndeti mendor është jeta jonë. Përfshin gjithçka, gjendjen tonë psikologjike, emocionale dhe sociale. Që të kemi familje dhe shëndet më të mirë, çdo gjë fillon nga mendja”, thotë terapistja shqiptaro-amerikane Kaba për Zerin e Amerikës.

Një tjetër arsyeje është edhe rritja e vetëvrasjeve dhe vdekjeve si pasojë e mbidozës.

“Personalisht kam familjarë që kanë kryer vetëvrasje. Po shohim fëmijë, të rinj 15 vjeçare e deri tek moshat më madhore 60 vjeçare, që po kryejnë vetëvrasje. Kjo është diçka që na bashkoi”, thotë ajo.

Ilustrim.

Nga ky grup është potencuar se vetëm gjatë dy viteve të fundit kanë identifikuar mbi 50 raste të vdekjeve si pasojë e vetëvrasjeve, ose mbidozës, vetëm në komunitetet shqiptare në Miçigan dhe Nju Jork.

“Ka një rritje të numrit të shqiptarëve që përfundojnë në sistemin e drejtësisë, që kanë probleme me substancat narkotike dhe me alkoolin. Pasi analizuam këtë fenomen, kuptuam se në të gjitha rastet një gjë është e përbashkët, shëndeti mendor”.

“Këta njerëz po mundohen të gjejnë një rrugëzgjidhje në mënyrë private dhe individuale, gjë që nuk është rrugëzgjidhje”, thotë ndihmës-prokurori në bashkinë e Oaklandit, Endrit Topalli.

Përmes kësaj veçanërisht burrat shqiptarë thuhet se kujdesen më pak për shëndetin mendor.

“Ne duam të kapim edhe pjesën e prindërve vetë, sepse ata kanë nevojë. Të prekim sidomos pjesën mashkullore shqiptare, sepse burrat në përgjithësi, sidomos me kulturën që kemi, nuk pranojnë të shkojnë për ndihmë”, thotë terapistja Kaba.

Teksa, ndihmësprokurorja Topalli ka përshkruar edhe portretin e një burri shqiptarë dhe tiparet që e karakterizojnë.

“Mashkulli tipik shqiptar, siç e dimë, është portreti i burrit të fortë, që ka luftuar, që ka mbrojtur vatanin, nderin dhe njerëzit e kombit. Por nuk të bën më pak burrë, fakti që ti këshillohesh me një terapist, ose një psikolog”.

Sipas saj, refuzimi i burrave që të flasin mbi çrregullimet e shëndetit mendor, po dërgon drejt fenomeneve të tjera, që kërcënojnë shoqërinë shqiptare.

“Ai shkon në familje dhe ushtron dhunë, qoftë tek bashkëshortja, qoftë tek fëmijët. Pra kemi një fenomen tjetër, të të dhunës në familje. Dhuna në familje është një sjellje e mësuar, themi ne”.

“Nëse fëmija sheh prindin duke rrahur prindin tjetër, do të rritet me atë kulturë, duke thënë se babai im e ka bërë këtë gjë dhe se është në rregull ta bësh këtë gjë”.

Terapistja Pepaj, konsideron se vetëm duke u kujdesur për veten prindërit mund të ndihmojnë fëmijët.

“Shenjat që prindërit duhet të ndjekin tek fëmijët janë: si po komunikojnë fëmiijët e mi në shkollë, a kanë shokë, çfarë nota kanë, a po bien në mësime”.

“Ka shumë shenja me të cilat fëmijët tregojnë, se janë në depresion, ose se janë duke u abuzuar. Janë shumë tregues, që tregojnë se ata kanë nevojë për mbështetje”, thotë Pepaj.

Stresi dhe ankthi nga jeta e shpejtë në Amerikë, pandemia COVID-19, sulmet me armë nëpër shkolla dhe lufta në Ukrainë janë edhe disa nga arsyet që rëndojnë shëndetin mendor.

Një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i publikuar në janar të vitit 2023, e sheh shëndetin mendor si një nga sfidat më të mëdha globale.

Gati 1 miliardë njerëz në botë vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor.

Depresioni dhe ankthi janë format më të përhapurat.

OBSH thotë se personat me probleme të shëndetit mendor jetojnë 10 deri 20 vjet më pak sesa pjesa tjetër e popullsisë.

Raporti thekson se një në çdo 100 vdekje është si pasojë e vetëvrasjes.

Në përgjithësi në botë, çdo vit regjistrohen mbi 700 mijë raste të vetëvrasjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore