Lajme

Mbi 3 milionë euro ka shpenzuar RTK në tetor-dhjetor në 2021


Komisioni për Buxhet dhe Financa - shqyrtimi i raportit të punës tetor-dhjetor 2021.

Komisioni për Buxhet, të mërkurën ka shqyrtuar raportin e punës së Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), për periudhën tetor-dhjetor për vitin 2021.

Kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini, u shpreh se gjithsej shpenzime në këtë periudhë kohore kanë qenë 3 milionë e 151 mijë e 934 euro.

Ndërsa, Armend Muja, kryetari i Komisionit për Buxhet ka kërkuar të dijë se “cila është shkalla e përgjithshme apo vlerat e borxhit të përgjithshëm të RTK-së për vitin 2021”.

Zyrtari në Departamentin e Financave në RTK, Halil Bajrami tha se “detyrimet afatshkurtra janë janë 147 mijë 809, ndërsa detyrimet afatgjata mbi 1 milion 611 mijë”.

Po ashtu, sipas tij 178 mijë e 825 euro është borxh ndaj produksionit të pavarur BIRN, i cili sipas tij ka pas dy produksione.

Ai ka përmendur edhe borxhin ndaj rrymës së pa paguar në KEDS, detyrime në KPM, borxhin ndaj emisionit pa rrotulla, etj.

Kryetari i komisionit ka drejtuar pyetje edhe për rastin e Kompanisë “Pastimi”, e cila ka qenë pronë e punëtorit të RTK-së dhe vlera e të cilës ka qenë 472 mijë euro.

“A ka përfundu procesi ndaj kompanisë Pastimi”, tha Muja.

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK).

Mirëpo, ushtruesi i detyrës i drejtorit te RTK-së, Shkumbin Ahmetgjekaj ,tha se është përmbyll procesi gjyqësor në favor të RTK-së dhe është vendosur t`i kthehen mjetet RTK-së.

Besnik Boletini, kryetar i bordit të RTK-së deklaroi se, “RTK ka borxhe dhe Bordi e ka obligim që vlera e shpenzimeve të RTK-së mos t`i kalojnë të hyrat”.

Ndërkaq, shtoi se është e pa pranueshme të grumbullohet borxhi aq i madh, pasi sipas tij investimet kapitale nuk janë bërë sepse janë pagu borxhe.

“Aktualisht kemi probleme të mëdha e pajisje sepse nuk është bërë asnjë investim kapital. E kemi marr raportin me gjitha detajet dhe po e analizojmë si m`u qas sepse nuk mund t`i lëmë gjithë këto borxhe”, tha ai.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, kërkoi të dijë se sa është pagu borxh nga RTK-ja dhe se a duhet të paguhet nga buxheti i Kosovës apo nga pjesa e fitimeve.

Zyrtari i departamentit të financave, Halil Bajrami, potencoi se mesatarisht çdo vit nga 1 milion euro paguhen borxhe.

“Prej 4 milionë sa ka qenë borxhi, kemi mrri në 1 milion e 300 mijë”, shtoi ai.

Sipas Bajramit, çdo vit gati 80 mijë euro i fshijnë borxhet sepse ndodh që mos t`i kërkojnë.

Lushtaku ka kërkuar të dijë se a ka pas raste të tilla që janë pagu gabimisht mjete siç ishte rasti i kompanisë “Pastimi” dhe nëse janë pagu gabimisht, a janë kthy ato mjete.

Ai shtoi se, “nuk e di që ka pas raste tjera mashtrim”.

Kryetari i Bordit, bëri të ditur se do të hapin shumë shpejtë konkurs publik që të aplikojnë të gjitha produksionet të cilat do të vlerësohen nga komisionet profesionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore