Lajme

Mbi 2700 të vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës mes Hamasit dhe Izraelit


Numri i të vrarëve në luftimet që kur militantët nga Hamasi nisën sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor vazhdoi të rritet të hënën, ndërsa ushtria izraelite kreu sulme ajrore kundër Gazës në përgatitje për një pushtim tokësor të pritshëm të enklavës palestineze.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha të hënën se 2 mijë e 750 njerëz ishin vrarë dhe më shumë se 9 mijë e 700 u plagosën nga sulmet.

Në Izrael, numri i të vdekurve nga sulmet ka arritur të paktën 1 mijë e 400. Rreth 289 ushtarë izraelitë vdiqën më 7 tetor dhe më pas, kanë thënë zyrtarët izraelitë. Hamasi ka marrë peng të paktën 155 persona.

Në Bregun Perëndimor janë regjistruar 57 të vrarë dhe 1 mijë e 200 persona janë plagosur.

Izraeli mohoi më herët raportimet se ka rënë dakord të ndalojë zjarrin në jug të Gazës për të lejuar hapjen e kalimit kufitar Rafah për të lejuar ndihmën në Rripin e Gazës.

“Për momentin nuk ka armëpushim për ndihmën humanitare në Rripin e Gazës dhe daljen e të huajve”, thuhet në një deklaratë të shkurtër nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyau.

Më herët, agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar dy zyrtarë egjiptianë të sigurisë, tha se Izraeli ra dakord të ndalonte zjarrin nga ora 9 e mëngjesit në një marrëveshje të rënë dakord me Egjiptin dhe SHBA-të.

Egjipti ka frikë nga një eksod masiv i refugjatëve palestinezë në territorin e tij.

Zyra e mediave e Hamasit tha të hënën në mëngjes se nuk ka informacion për një armëpushim humanitar që është rënë dakord, pas raportimeve se Izraeli ka rënë dakord për një armëpushim dhe hapjen e pikës kufitare Rafah me Egjiptin.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) dhe Ministria e Mbrojtjes thonë se po planifikojnë të evakuojnë civilët që jetojnë në qytete deri në dy kilometra nga kufiri libanez mes sulmeve të përsëritura me raketa nga Hezbollahu dhe fraksionet aleate palestineze ditët e fundit.

Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Emergjencave të ministrisë (NEMA) thotë se banorët do të dërgohen në bujtina të financuara nga shteti pasi plani të miratohet nga Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant.

IDF-ja thotë se ka njoftuar krerët e autoriteteve lokale në këtë zonë për zbatimin e ardhshëm të planit.

Sipas IDF-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, 28 komunitetet e përfshira në plan janë: Ghajar, Dishon, Kfar Yuval, Margaliot, Metula, Avivim, Dovev, Ma’ayan Baruch, Bar’am, Manara, Yiftah, Malkia, Misgav Am, Yir’on, Dafna, Arab al-Aramshe, Shlomi, Netu’a, Ya’ara, Shtula, Matat, Zar’it, Shomera, Betzet, Adamit, Rosh Hanikrah, Hanita dhe Kfar Giladi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore