Kosova

Mbi 26 komuna dorëzojnë padi ndaj MASHT-it dhe MSH-së


Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Mbi 26 komuna kanë dorëzuar padi ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSH).

Kjo për arsyeje të kontratave kolektive pasi vlerësohet se dëmi që iu shkaktua komunave është rreth 35 milionë euro.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se qëllimi i komunave është që këto mjete financiare t’u kthehen atyre.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, Komunat e Republikës së Kosovës deponojnë paditë sa i përket çështjes së kontratave kolektive ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë, ku vlera në bazë të vlerësimeve nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tejkalon mbi 35 milionë euro”.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Qëllimi kryesor i komunave është që këto mjete financiare të kthehen në buxhetet komunale, në mënyrë që këto mjete financiare të gjejnë zbatim në shumë projekte kapitale, të cilat shkojnë në të mirën e qytetarëve”, tha Ibrahimi.

Sipas tij, mjetet në fjalë janë marrë padrejtësisht, për arsyeje se niveli lokal nuk ka qenë nënshkrues i kontratave kolektive.

“Komunat një nga një do të dorëzojnë paditë. Demi vlerësohet gjatë këtyre viteve rreth 35 milionë euro. Mjetet janë marrë padrejtësisht, se niveli lokal s’ka qenë nënshkruese e kontratave kolektive, këto mjete kanë qenë të planifikuara për projekte komunal. Sipas informacionit, mbi 26 komuna janë duke dorëzuar padi”.

AKK, konsideron se shumica e mjeteve që janë shpenzuar në të kaluarën kanë qenë për investime kapitale.

“Në bazë të vlerësimeve të cilat Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka, del që dëmi i shkaktuar në zbatimin e kontratave kolektive ndaj komunave sillet rreth 35 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve financiare, në të kaluarën kanë qenë të dedikuara për investime kapitale, për projekte të cilat do të shkonin në dobi të qytetarit, në përmirësimin e jetës së qytetarit, por edhe zhvillimin ekonomik lokal”.

Ibrahimi, shprehet se nuk janë kundër këtyre kontratave por që barrën financiare duhet ta marrin institucionet që i kanë nënshkruar.

“Komunat kërkojnë drejtësi në këtë rast. Komunat kërkojnë që organet kompetente, që kanë nënshkruar kontratat këto kontratat kolektive, ta marrin edhe barrën financiare. Kjo është kërkesa e Asociacionit dhe e gjithë komunave”.

Më 9 qershor, Instituti Demokratik i Kosovës, ka konsideruar se buxhetimi me pjesëmarrje vazhdon të mbetet sfidë e vazhdueshme për qeverisjen lokale, ndërsa qeverisja gjithëpërfshirës forcohet vetëm duke dhënë hapësirë dhe mundësi qytetarëve.

Komunat e Kosovës do të padisin dy ministri në Gjykatën Themelore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore