Lajme

Mbi 16 mijë euro ndahen për Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesit e Luginës


Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se mbi 16 mijë euro janë ndarë në mbështetje të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave nga ekzekutivi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka ndarë 16,880.00 euro në mbështetje të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve të tyre avokuese”, thuhet në komunikatë.

Më 31 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur, derisa ka theksuar se “ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë”.

“Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj”, shkroi Kurti në Facebook.

Ai ka shtuar se ruajtja e identitetit, mozaikut kulturor e traditave, është e qenësishme për ekzistencën e shqiptarëve atje, duke pasur parasysh përmasat e diskriminimit të skajshëm me të cilin ata përballen.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës vazhdimisht janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61 mijë e 687 shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore