Lajme

Mbërrin në Kosovë kontingjenti i ri turk nga KFOR-i


Foto nga KFOR-i.

Misioni i NATO-s në Kosovë, ka bërë të ditur se ka arritur një kontingjent turk në kuadër të misionit të KFOR-it.

Lajmin e ka kumtuar KFOR-i përmes një komunikate për media.

“Kontingjenti turk ka mbërritur në Kosovë, si pjesë e misionit KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Ai do të zëvendësojë një njësi të trupave italiane të dislokuara më parë, si pjesë e Forcave Rezervë të caktuar në KFOR”.

“Vendosja e kontingjentit turk pasqyron përkushtimin e palëkundur të #KFOR-it për të vazhduar të ofrojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së bazuar në Kombet e Bashkuara”, thuhet në komunikatë.

Sipas KFOR-it, veprimet e tilla dëshmojnë edhe angazhimin që në Kosovë të ketë stabilitet.

“Është gjithashtu një demonstrim tjetër konkret i angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Më 28 shkurt, Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) në kuadër të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) kanë kaluar nëpër Bullgari si pjesë e rotacionit rutinë.

Kjo lëvizje e forcave turke ishte planifikuar për 27-28 shkurt dhe synoi të lehtësojë rotacionin brenda zonës së misionit dhe do të shoqërohet nga ekipet e Policisë Ushtarake për të garantuar sigurinë dhe rendin gjatë lëvizjes.

Tranziti i TSK-së përmes Bullgarisë nxjerr në pah bashkëpunimin strategjik midis vendeve anëtare të NATO-s, duke garantuar stabilitetin dhe sigurinë e rajonit të Evropës Juglindore, njoftoi të mërkurën Ministria e Mbrojtjes së Bullgarisë.

Ndërsa mediat bullgare raportuan se kjo lëvizje është pjesë e një strategjie më të gjerë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi në mënyrë periodike për lëvizje të personelit apo pajisjeve ushtarake nëpër territorin bullgar.

Pak ditë më parë, autoritetet njoftuan gjithashtu nëpërmjet një komunikate për media se në vend do të lëvizë edhe personeli ushtarak dhe pajisjet ushtarake nga Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

E pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, posaçërisht pas përshkallëzimit të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, aleatët e NATO-s, duke përfshirë Turqinë, shtuan prezencën në kuadër të KFOR-it.

Rreth 1 mijë ushtarë në kuadër të KFOR-it zbarkuan në Kosovë gjatë vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore