Lajme

MB/100 mijë viktima nga COVID-19


100 mijë njerëz kanë humbur jetën nga coronavirus-i në Mbretërinë e bashkuar (MB), që nga fillimi i pandemisë.

Ekspertët e shëndetit publik e kanë quajtur  këtë situatë një “dështim fenomenal i politikës dhe praktikës”.

Të mërkurën, shifra ditore e vdekjeve ishte rekordi më i lartë i regjistruar. Shifrat janë bërë publike nga agjencitë statistikore dhe qeveria.

MB-ja aktualisht po përballet me një formë të re të virusit dhe vendi është nën masa të rrepta karantine.

Qeveria është akuzuar vazhdimisht se ka vepruar shumë vonë për të zvogëluar përhapjen e virusit. Në mars, Patrick Vallance, këshilltari kryesor  i qeverisë, tha se mbajtja e vdekjeve nga coronavirus-i nën 20 mijë ishte një “rezultat i mirë”.

Ditën e martë kryeministri, Boris Johnson, tha se ishte “shumë i penduar” dhe se këto ngjarje do të shërbenin si leksion për të mësuar.

Ai shtoi se  do të merrte përgjegjësinë e plotë për veprimet e qeverisë gjatë gjithë pandemisë, por sipas deklaratës së tij ata kishin ‘bërë gjithçka që mundeshin’.

Mënyra se si numërohen vdekjet nga coronavirusi në MB ka ndryshuar që nga fillimi i pandemisë. Agjencitë statistikore numërojnë vdekjet kur Covid-19 shënohet në certifikatën e vdekjes.
Shifrat qeveritare të lëshuara çdo ditë numërojnë fatalitetet brenda 28 ditëve nga një test pozitiv.

Një në çdo 660 njerëz në MB kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me Covid-in.

MB- ja ka një nga nivelet më të larta të vdekshmërisë nga coronavirus-i në botë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore