Shqipëria

Maturantët shqiptarë do të testohen në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi


Ethet e përvitshme të maturantëve kanë hyrë në fazën e dytë për këtë vit shkollor.

Kjo, pasi mbi 33 mijë nxënës do t’i drejtohen gjimnazeve për t’u testuar në provimin e dytë – Gjuhë Shqipe dhe Letërsi.

Provimi nis në orën 10:00 dhe afati i plotësimit të tij nuk i tejkalon dy orë e gjysmë.

Përpara se të futen në provim nxënësit duhet të paraqiten në qendrën e testimit, 1 orë e 30 minuta para, me mjetet identifikuese si dhe mjetet shkollore të nevojshme.

Në disa shkolla janë vendosur bllokues valësh në mënyrë që të shmanget kopjimi me telefon si dhe ka detektorë në hyrje.

Kjo, për të zbuluar çdo aparat që mund të tentojnë të fusnin nxënësit.

Dy ditë më parë maturantët u testuan për gjuhën e huaj.

Më datë 17 qershor do të jetë provimi i matematikës dhe do të përmbyllin sprovat një javë më pas në testimin e lëndës me zgjedhje.

Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim.

Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 për qind të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40 për qind niveli i dytë dhe 20 për qind që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.

Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 për qind të pikëve të testit.

Për sa i përket përgjigjeve të provimeve, afati maksimal është deri me 30 qershor.

Kjo, në mënyrë që të gjithë ato nxënës të cilët duan të studiojnë jashtë vendit të kenë kohë për plotësimin e dokumenteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore