Lajme

Matematika e LDK-së: Blerja e librave do t’i kushtojë MASHT-it nëntë milionë euro më shumë


Ilustrim

Kryetarja e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka nxjerrë disa të dhëna statistikore nga të cilat del se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), do t’i shpenzojë rreth 9 milionë euro më shumë për blerjen e mjeteve shkollore sesa vitet paraprake.

MASHT-i ka njoftuar të enjten se do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, ndërsa për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9, do të ndahen 30 euro në formë mbështetje për materiale të tjera shkollore.

Zyrtarja e LDK-së, duke marrë për bazë statistikat e publikuara nga MASHT-i, ka llogaritur koston e shpenzimeve për libra dhe materiale të tjera shkollore që del të jetë shumë më e lartë sesa çmimi i paraparë për furnizimin e nxënësve mjete elementare shkollore.

Në shkollën fillore janë 132 mijë e 483 nxënës dhe kostoja për blerjen e teksteve shkollore, sipas matematikës së Lushakut, do të jetë 10 milionë e 598 mijë 640 euro, ndërsa kostoja e kompenzimit për materiale shkollore për nxënësit e shkollës së mesme të ulët do të kushtojë 2 milionë e 865 mijë e 030 euro.

MASHT-i ka bërë me dije se të premten (nesër) do hapet aplikimi për rimburësimin e mjeteve për blerjen e librave dhe mjeteve të tjera shkollore të 227 mijë e 984 nxënësve, ndërsa paratë parashihet t’iu dalin prindërve në xhirollogaritë bankare që nga fillimi i javës së ardhshme.

Megjithatë, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, zyrtarë të lartë të MASHT-it vazhdimisht janë munduar ta arsyetojnë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

E sipas kalkulimeve të anëtares së partisë më të vjetër në vend, vihet në pah se Qeveria e Kosovës do t’i shpenzojë rreth 9 milionë euro më shumë për vitin e ri shkollor sesa që janë shpenzuar në të kaluarën për blerjen e teksteve dhe mjeteve shkollore për nxënësit e Kosovës.

MASHT-i ka pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadësh të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore