Sport

Mason Greenwood lirohet me kusht deri sa të aprovohen akuzat nga gjykata


Mason Greenwood aktualisht është liruar me kusht pasi u arrestua në janar me dyshimin për përdhunim dhe sulm.

Lojtari i Manchester United ende nuk është akuzuar zyrtarisht dhe ai do të mësojë në ditët në vijim nëse do të ndiqet penalisht.

Besohet se policia do të bëjë një kallëzim në Prokurorinë e Kurorës gjatë ditëve në vijim, pasi ka studiuar provat e disponueshme për të vendosur nëse 20-vjeçari duhet të dalë në gjyq.

“Policia do të dorëzojë dosjen e saj menjëherë”, tha një burim i gazetës britanike The Sun.

Një tjetër burim i gazetës The Sun ka dhënë pak më shumë detaje, duke sqaruar se policisë po i mungon koha për të hetuar.

“Ai është ende me kusht, por gjërat janë në një fazë të avancuar”, tha ai.

“Policia dhe Prokuroria janë duke diskutuar nëse ka një çështje apo jo për të ngritur kundër tij. Vjen një pikë ku duhet të merret një vendim dhe gjërat kanë arritur në atë pikë”.

Greenwood kaloi kohë në paraburgim policor pas arrestimit të tij më 30 janar.

“Policia e Manchester-it u informua për imazhet dhe videot e mediave sociale në internet të postuara nga një grua që raportonte incidente të dhunës fizike”, thuhej në një deklaratë të policisë në atë kohë.

“U nis një hetim dhe, pas hetimeve, ne mund të konfirmojmë se një burrë rreth të 20-ave është arrestuar me dyshimin për përdhunim dhe sulm. Ai mbetet në paraburgim për t’u marrë në pyetje. Hetimet janë në vazhdim”.

Më pas ai u lirua me kusht pak më vonë, por u pezullua nga Manchester United dhe nuk ka qenë i përfshirë me klubin që nga arrestimi.

Shumica e sponsorëve të tij gjithashtu kanë ndaluar së punuari me Greenwood, duke përfshirë Nike.

Hapi tjetër për 20-vjeçarin është të zbulojë nëse ai do të akuzohet zyrtarisht dhe, nëse po, ai më pas do të përgatitet për një gjyq.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore