Lajme

“Marshimi i Flamurit” kthen Jerusalem-in në arenë përleshjesh


Dhjetëra mijëra izraelitë të krahut të djathtë morën pjesë në marshimin e diskutueshëm të Flamurit në Jerusalem.

Vitin e kaluar, ngjarja ishte një katalizator për luftën 11-ditore midis Izraelit dhe militantëve të Gazës.

Kështu shkruan e përditshmja izraelite “Haaretz”.

Përpara se të fillonte marshimi në orën 16:00, hebrenjtë hynë në lagjen myslimane.

Kjo, duke spërkatur piper dhe duke goditur palestinezët.

Këta të fundit, hodhën karrige dhe shishe drejt izraelitëve.

Një hebre u filmua duke nxjerrë një pistoletë gjatë përleshjeve në Portën e Damask-ut.

Gjatë marshimit, grupe grupesh hebreje ortodokse u mblodhën jashtë portës së Damask-ut, duke valëvitur flamuj.

Ata këndonin këngë fetare dhe nacionaliste, duke bërtitur “kombi hebre jeton” përpara se të hynin në lagjen myslimane.

Në Murin Perëndimor, pika përfundimtare e “Marshimit të Flamurit”, aktivistët e krahut të djathtë u përleshën me policinë, e cila hodhi granata trullosëse ndaj tyre.

Rreth 45 persona u arrestuan gjatë së dielës, shumica dërrmuese e tyre palestinezë.

Gjatë gjithë ditës, 2 mijë e 600 hebrenj u ngjitën në malin e tempullit nën mbrojtje të rreptë të sigurisë.

Kjo, ndërsa palestinezët u forcuan drejt xhamisë Al-Aksa dhe hodhën gurë.

Më herët të dielën, të rinjtë palestinezë u barrikaduan brenda kësaj xhamie.

Hamas-i, i cili ka kërcënuar me përsëritje të sulmeve të vitit të kaluar, vlerësoi “mbrojtjen” palestineze të xhamisë.

Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se po forcon praninë e saj të sigurisë në Rripin e Gazës dhe po përgatit sistemin mbrojtës të Kupolës së Hekurt për mundësinë që Hamas-i të lëshonte raketa.

Më herët në mëngjes, policia ndaloi gjithashtu disa autobusë të arabëve nga Izraeli verior që shkonin për në Jerusalem.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore