Lajme

Marrëveshja me Danimarkën: Shefi i burgut dhe stafi menaxherial vijnë nga Danimarka, oficerët korrektues të Kosovës


Ilustrim, ne nje nga burgjet e Kosoves

Rreth 300 të burgosur, të cilët aktualisht gjenden në burgjet e Mbretërisë së Danimarkës, pritet të transferohen në burgjet e Kosovës. Kjo pas marrëveshjes së arritur mes Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe institucioneve të Danimarkës.

Shefi i Kabinetit të Ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni ka treguar se të burgosurit që do të vijnë në Kosovë nuk do të jenë të dënuar me tepër se 10 vite burg.

“Ata që janë të përfshirë në krime serioze nuk do të përfshihen në këtë marrëveshje. Ne do të sigurohemi se mund të implementojmë marrëveshjen prandaj nuk kemi pranuar të dënuarit për terrorizëm”, tha ai,

Nimoni ka dhënë detaje edhe në lidhje me stafin e burgut.

“Drejtori i burgut dhe stafi menaxherial do të jenë të Danimarkës, derisa oficerët korrektues mund të jenë të Kosovës”.

Shefi i Kabinetit të Ministres së Drejtësisë thotë se marrëveshja është ndërkombëtare dhe do të duhet të miratohet ën Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave.

Nimoni thotë se pos 210 milionë eurove, Kosova do të përfitojë nga Danimarka edhe ndihma tjera financiare.

Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj

Zogaj: Burgu i Gjilanit është me standarde evropiane

Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj ka folur për marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Danimarkës, ku Kosova do t’i jap shtetit danez me qera 300 qeli të burgjeve në Gjilan.

Zogaj thotë se Burgu i Gjilanit është me standarde evropiane dhe një pjesë e madhe e oficerëve dinë gjuhë të huaja të cilët e lehtësojnë komunikimin.

“Kapaciteti i tij është 300 veta, është burg bashkohor, i plotëson të gjitha kriteret. Kushtet janë në të mira se në shumë burgje në vende të tjera, është me standarde evropiane. Sikur të burgosurit të ishin të rrezikshmërisë së lartë, do të ishte me problem menaxhimi në të”, u shpreh ai.

Burgu i Gjilanit me kapacitet prej 300 personave

Zogaj, në një intervistë për “Info Magazinë” tha se ndihet i lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, e cila sipas tij është me interes të madh për shërbimin korrektues.

“Më vjen mirë që më në fund nënshkruhet kjo marrëveshje, sepse është me interes të madh për shërbimin korrektues. Ne kemi oficer që janë trajnuar në Evropë dhe SHBA dhe i kryejnë të gjitha punët në mënyrë profesionale”, ka thënë Zogaj.

Tutje, ai thotë se si fillim, nuk do të jetë i lehtë menaxhimi, për vizita e telefonata, por për një kohë të shkurtër mund të menaxhohen edhe ato.

Ai gjithashtu tha se në vazhdim pritet që të fillojnë aktivitete të ndryshme për të burgosurit.

“Kjo marrëveshje është e rëndësishme edhe për stafin që mund të trajnohet të punohet me të burgosur ndërkombëtar edhe mund të jetë interes i madh që brenda për brenda do të fillojnë iniciativat që të burgosurit të mos mbesin vetëm brenda çelësit, por që të punojnë diçka të merren me ndonjë aktivitet”, përfundoi Zogaj.

Ilustrim nga Burgjet e Danimarkes

Tejmbushja e burgjeve në Danimarkë bën që të kërkojnë 300 qeli me qira në Kosovë

Danimarka do të merr me qira 300 qeli burgu në Kosovë për të burgosurit që do të deportohen në fund të dënimit të tyre, njoftoi qeveria daneze.

Projekti, i cili synon të lehtësojë mbingarkesën e burgjeve, do të zgjerojë gjithashtu pronën e burgjeve të Danimarkës me 326 vende midis 2022 dhe 2025, tha në një deklaratë ministria daneze e drejtësisë.

Vitin e kaluar, 350 të burgosur do të deportoheshin në fund të dënimit të tyre.

Popullsia e burgjeve të Danimarkës është rritur me 19% që nga viti 2015, duke arritur në më shumë se 4,000 të burgosur në fillim të vitit 2021 dhe duke tejkaluar 100% të kapacitetit, sipas statistikave zyrtare, transmeton The Guardian.

Në të njëjtën periudhë, numri i gardianëve ra me 18% në kombin skandinav me 5.8 milionë banorë, ku të burgosurit me më pak se pesë vjet i shërbejnë zakonisht në burgje të hapura.

“Do të na mungojnë deri në 1000 vende në burgjet deri në vitin 2025,” tha në deklaratë ministri i drejtësisë, Nick Hækkerup.

“Me marrëveshjen është rënë dakord që të merren me qira 300 burgje në Kosovë dhe të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë për disa qindra vende”, thuhet në deklaratë.

Kosova kishte 1,642 të burgosur që nga viti 2020, 97% e kapacitetit, sipas Raportit Botëror të Burgjeve të Universitetit të Londrës.

Norvegjia dhe Belgjika kanë marrë më parë qeli burgu në Holandë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Kosova përfiton mbi 200 milionë euro nga marrëveshja me Danimarkën

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Danimarkës për marrjen me qira të 300 qelive, ka thënë se qelitë që pritet të jepen në shfrytëzim do të jenë në burgun e Gjilanit. Sipas saj, Kosova do të ketë përfitime financiare mbi 200 milionë euro.

Ajo ka thënë se të hënën do të vijë për vizitë në Kosovë homologu i saj danez Nick Haekkerup, ku do të jepen edhe detaje të tjera lidhur me marrëveshjen.

“Qelitë që pritet të jepen në shfrytëzim do të jenë në Burgun e Gjilanit. Kjo është një marrëveshje ndërkombëtare e cila do të kërkojë edhe ratifikimin me 2/3 e votave”, është shprehur Haxhiu.

“Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtëritshme”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Në momentin kur kam pranuar detyrën e ministres, jam njoftuar për një që kishte të bënte me shfrytëzimin e një qendre korrektuese si kërkesë e Danimarkës, qëllimi ishte që në 300 vende në një prej qendrave korrektuese në Kosovë të shfrytëzohen nga Danimarka”.

Ministrja Haxhiu ka deklaruar se e vlerëson lartë përzgjedhjen nga shteti danez.

“Vlerësoj se kjo përzgjedhje nga Danimarka, është një vlerësim i lartë që i bëhet Kosovës dhe institucioneve si shtet kredibil”.

Sipas saj, të burgosurit nuk mund të jenë të akuzuar për terrorizëm ose probleme mendore.

“Kam kërkuar që mos të përfshihen në këtë marrëveshje. Do të jenë persona që do të jenë të dënuar për krime tjera, ndërsa nacionaliteti do të dihet nga ministri danez kur do të vijë të hënën”.

“Ne kemi shprehur interesim për t’u njoftuar për vizitat e familjarëve të tyre, për ligjet se a do të vlejnë ato të Kosovës apo të Danimarkës. Oficerët korrektues do të jenë nga Kosova dhe mirëqenia do të jetë e tyre, prandaj detajet tjera do të informoheni më kohë”, tha ajo.

Ndërkaq, në tetor të vitit 2020, institucionet Korrektuese të Kosovës filluan një bashkëpunim me institucionet korrektuese të Danimarkës.

Tetor, 2020, ekipi i institucioneve Korrektuese të Danimarkë në vizitë në Kosovë

Gjatë vizitës dy ditore në muajin tetor përfaqësues të këtyre dy institucioneve diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit rreth të burgosurve nga Danimarka në Kosovë, përveç temave të tjera në interes të të dyja vendeve siç janë trajnimet,

shkëmbimi i përvojave e praktikave të të dyja institucioneve të cilat do të kontribuonin në ngritjen e kapaciteteve të SHKK-së.

“Vitin e kaluar u diskutua kjo temë, aty u diskutua si ide, dhe gjatë qëndrimit në Kosovë të ekipit nga Danimarka, patën punuar shumë dhe goxha mirë i përafruan qëndrimet”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi.

“Ekipi i Danimarkës pati vizituar edhe buxhet në Kosovë dhe më së shumti u pati pëlqyer Burgu i Gjilanit. Si më i ri e më komod”, tregon Gashi.

Dhe diskutimet për të finalizuar marrëveshjen dy palëshe ndërmjet Kosovës dhe Danimarkë, ishin përafruar shumë.

“Marrëveshja arriti deri në atë pikë saqë filloi të diskutohej çmimi”.

Sipas zëdhënësit të SHKK-së, sipas kësaj marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, në burgje të Kosovës do të vuanin dënimin, qytetar danezë me rrezikshmëri të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore