Lajme

Kosova përfiton mbi 200 milionë euro nga marrëveshja me Danimarkën


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe Danimarkës për marrjen me qira të 300 qelive, ka thënë se qelitë që pritet të jepen në shfrytëzim do të jenë në burgun e Gjilanit. Sipas saj, Kosova do të ketë përfitime financiare mbi 200 milionë euro.

Ajo ka thënë se të hënën do të vijë për vizitë në Kosovë homologu i saj danez Nick Haekkerup, ku do të jepen edhe detaje të tjera lidhur me marrëveshjen.

“Qelitë që pritet të jepen në shfrytëzim do të jenë në Burgun e Gjilanit. Kjo është një marrëveshje ndërkombëtare e cila do të kërkojë edhe ratifikimin me 2/3 e votave”, është shprehur Haxhiu.

“Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtëritshme”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

“Në momentin kur kam pranuar detyrën e ministres, jam njoftuar për një që kishte të bënte me shfrytëzimin e një qendre korrektuese si kërkesë e Danimarkës, qëllimi ishte që në 300 vende në një prej qendrave korrektuese në Kosovë të shfrytëzohen nga Danimarka”.

Ministrja Haxhiu ka deklaruar se e vlerëson lartë përzgjedhjen nga shteti danez.

“Vlerësoj se kjo përzgjedhje nga Danimarka, është një vlerësim i lartë që i bëhet Kosovës dhe institucioneve si shtet kredibil”.

Sipas saj, të burgosurit nuk mund të jenë të akuzuar për terrorizëm ose probleme mendore.

“Kam kërkuar që mos të përfshihen në këtë marrëveshje. Do të jenë persona që do të jenë të dënuar për krime tjera, ndërsa nacionaliteti do të dihet nga ministri danez kur do të vijë të hënën”.

“Ne kemi shprehur interesim për t’u njoftuar për vizitat e familjarëve të tyre, për ligjet se a do të vlejnë ato të Kosovës apo të Danimarkës. Oficerët korrektues do të jenë nga Kosova dhe mirëqenia do të jetë e tyre, prandaj detajet tjera do të informoheni më kohë”, tha ajo.

Ndërkaq, në tetor të vitit 2020, institucionet Korrektuese të Kosovës filluan një bashkëpunim me institucionet korrektuese të Danimarkës.

Tetor, 2020, ekipi i institucioneve Korrektuese të Danimarkë në vizitë në Kosovë

Gjatë vizitës dy ditore në muajin tetor përfaqësues të këtyre dy institucioneve diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit rreth të burgosurve nga Danimarka në Kosovë, përveç temave të tjera në interes të të dyja vendeve siç janë trajnimet,

shkëmbimi i përvojave e praktikave të të dyja institucioneve të cilat do të kontribuonin në ngritjen e kapaciteteve të SHKK-së.

“Vitin e kaluar u diskutua kjo temë, aty u diskutua si ide, dhe gjatë qëndrimit në Kosovë të ekipit nga Danimarka, patën punuar shumë dhe goxha mirë i përafruan qëndrimet”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi.

“Ekipi i Danimarkës pati vizituar edhe buxhet në Kosovë dhe më së shumti u pati pëlqyer Burgu i Gjilanit. Si më i ri e më komod”, tregon Gashi.

Dhe diskutimet për të finalizuar marrëveshjen dy palëshe ndërmjet Kosovës dhe Danimarkë, ishin përafruar shumë.

“Marrëveshja arriti deri në atë pikë saqë filloi të diskutohej çmimi”.

Sipas zëdhënësit të SHKK-së, sipas kësaj marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, në burgje të Kosovës do të vuanin dënimin, qytetar danezë me rrezikshmëri të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore