Pajisje

Marrëveshja e BE-së për karikuesit e njësuar deri në fund të vitit, e mundur


Vendet anëtare të Bashkimit Evropian mund të arrijnë një marrëveshje për një port të përbashkët karikimi për telefonat celularë, tabletët dhe kufjet deri në fund të vitit.

Kështu ka bërë me dije ligjvënës kryesor lidhur me këtë propozim që është kritikuar ashpër nga prodhuesi i iPhone-it, Apple-i, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Vitin e kaluar, ka qenë Komisioni Evropian që ka propozuar projektligje për herë të parë në botë mbi karikuesin e njësuar, pasi kompanitë nuk ranë dakord për një zgjidhje të përbashkët.

Kjo ka ardhur pasi prej kohësh, përdoruesit e iPhone-it dhe Android-it janë ankuar se duhet të përdorin karikues të ndryshëm për telefonat e tyre.

Pajisjet e llojit të parë karikohen nga një kabllo Lightning ndërsa ato me bazë Android mundësohen duke përdorur lidhës USB-C.

Në vitin 2018, gjysma e karikuesve të shitur me telefona celularë kishin një lidhës USB micro-B, ndërsa 29 për qind kishin një lidhës USB-C dhe 21 për qind një lidhës Lightning.

Këto të dhëna kanë dalë nga një studim i Komisionit Evropian i vitit 2019.

Ligjvënësi Alex Agius Saliba, i cili drejton çështjen në Parlamentin Evropian, shpreson se asambleja legjislative do të jetë në gjendje të votojë mbi propozimin e tij në maj.

Votimi do ta lejojë atë të fillojë bisedimet me vendet e BE-së mbi një draft përfundimtar.

“Një marrëveshje deri në fund të vitit është e realizueshme. Kjo është ambicia jonë”, ka thënë ai.

Megjithatë, propozimi ka një shtrirje më të gjerë që ka të ngjarë të ndikojë Samsung-un dhe Huawei-n, si dhe prodhues të tjerë pajisjesh.

Gjithashtu ka një afat kohor më të shkurtër se drafti i Komisionit Evropian.

“Kjo do të ishte një mundësi e humbur plotësisht nëse fokusohemi vetëm te telefonat inteligjentë”, ka theksuar Agius Saliba.

Ai dëshiron që lexuesit elektronikë, laptopët me fuqi të ulët, tastierat, mouse-et e kompjuterit, kufjet, orët inteligjente dhe lodrat elektronike të kenë një portë të vetme karikimi.

Kurse lista e komisionit përfshin vetëm telefona celularë, tabletë dhe kufje.

Agius Saliba gjithashtu dëshiron që komisioni të harmonizojë sistemet e karikimit me valë deri në vitin 2025 dhe që legjislacioni të hyjë në fuqi gjashtë muaj pas miratimit të tij.

Çka përbën një kohë në të cilën kompanitë do të duhet të përshtatin pajisjet e tyre, në vend të dy viteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore