Lajme

‘Marrëdhënia mes një skllavi dhe një zotërie’ në Republikën Demokratike të Kongos


Emra si Tesla, Renault dhe Volvo nuk thonë asgjë për Pierre, pasi ai nuk ka dëgjuar kurrë për një makinë elektrike, tregon e përditshmja “The Guardian”.

Mirëpo, teksa niset për të punuar çdo mëngjes në qytetin plot me pluhur, Fungurume, në brezin jugor të minierave të Republikës Demokratike të Kongos, ai përfaqëson hallkën e parë në një zinxhir furnizimi që po nxit revolucionin e automjeteve elektrike.

Dhe që gjithashtu po jep premtimin për një të ardhme të dekarbonizuar.

Pierre është duke nxjerrë kobaltin, një nga mineralet më të kërkuar në botë dhe një përbërës kyç në bateritë që fuqizojnë shumicën e automjeteve elektrike.

Ai ka treguar se paga e tij bazë është ekuivalenti i 3.50 dollarëve në ditë, por nëse punon gjatë drekës dhe kalon orë jashtë orarit, arrin të marrë pak më shumë.

Nëse ai merr një ditë pushimi, paratë i zbriten nga paga. Nëse është i sëmurë dhe mungon më shumë se dy ditë në muaj, i ikin nga duart më shumë para.

“As nuk mund të debatosh. Nëse e bën, do të pushohesh nga puna”, ka rrëfyer ai për “The Guardian”, duke shtuar se “marrëdhënia mes nesh dhe minierës është ajo mes një skllavi dhe një zotërie”.

Historitë e kushteve të vështira dhe të rrezikshme të punës të duruara nga minatorët në minierat joformale ose artizanale të kobaltit kanë provokuar një protestë ndërkombëtare në vitet e fundit.

Kjo duke detyruar teknologjinë dhe markat perëndimore të automjeteve të kërkojnë mënyra për të marrë kobaltin pa shkelje të të drejtave të njeriut.

Disa kompani në zinxhirin e furnizimit të kobaltit kanë premtuar të ndalojnë burimet nga minierat artizanale dhe në vend të kësaj të marrin mineralin nga minierat industriale, të cilat shihen si një opsion më i sigurt si për punëtorët ashtu edhe për reputacionin e korporatave.

Megjithatë, Pierre nuk punon në një minierë artizanale. Ai është i punësuar, nëpërmjet një nënkontraktori, në minierën Tenke Fungurume (TFM), një nga minierat më të mëdha industriale të vendit.

Ajo është 80 për qind në pronësi të kompanisë kineze China Molybdenum (CMOC).

Por një hetim nga “The Guardian” ka zbuluar se disa punëtorë, shpesh të punësuar përmes nënkontraktorëve, pretendojnë se janë viktima të shfrytëzimit të rëndë, duke përfshirë paga të ulëta, punësim të pasigurt pa kontrata dhe racione të vogla ushqimore.

Në një numër minierash të drejtuara nga kompani kineze, punëtorët kanë ngritur akuza për diskriminim dhe racizëm që të kujtojnë epokën koloniale.

Konkretisht, “The Guardian” ka gjurmuar zinxhirin e furnizimit të kobaltit nga TFM dhe miniera të tjera industriale përmes një numri prodhuesish të baterive të disa prej prodhuesve kryesorë të makinave elektrike në botë.

Lista përfshin kompani si Tesla, VW, Volvo, Renault dhe Mercedes-Benz.

Teksa zinxhiri i furnizimit të kobaltit është shumë kompleks, të gjithë këta prodhues makinash të identifikuar nga “The Guardian” mund të lidhen me një ose më shumë nga minierat industriale përmes një numri të vogël rafinerish dhe prodhuesish të baterive kryesore.

Shumë marka të automjeteve elektrike kanë marrë angazhime publike për “burimin e përgjegjshëm” të mineraleve. Dhe veçanërisht Tesla, po përdor mënyra inovative për ta arritur këtë.

Megjithatë, gjetjet e “The Guardian” sugjerojnë se sa larg duhet të shkojë sektori për të siguruar që kalimi te energjia e pastër të mos njolloset nga pretendimet për shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Teksa delegatët takohen në COP26, konferencën e OKB-së për ndryshimet klimatike në Glasgow, kalimi nga benzina në bateri po flitet si një hap kyç në reduktimin e emetimeve të karbonit.

Shitjet globale të automjeteve elektrike të pasagjerëve pritet të rriten nga 3.3 milionë në vitin 2021 në 66 milionë në vitin 2040. Në Mbretërinë e Bashkuar, kjo rritje do të nxitet nga ndalimi i qeverisë për shitjen e makinave me benzinë ​​dhe naftë nga viti 2030.

Vitin e kaluar, afro 70 për qind e kobaltit në botë erdhi nga Republika Demokratike e Kongos dhe shumica e tij erdhi nga miniera industriale.

Megjithëse disa prodhues të baterive dhe makinave kanë reduktuar sasinë e kobaltit në bateritë e tyre, BMI nxjerr se vëllimi i shitjeve të kobaltit në këtë sektor do të rritet pesëfish gjatë dekadës së ardhshme.

Banka Botërore vlerëson se kërkesa për prodhimin e kobaltit do të rritet me 585 për qind deri në vitin 2050.

Ky duhet të jetë një lajm i mirë për njerëzit në jug të republikës, ku ndodhen shumica e minierave të kobaltit.

Mirëpo, një raport i nxjerrë nga mbikëqyrësi i korporatave me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Raid dhe avokatët kongolez nga Centre d’Aide Juridico-Judiciaire, tregon se shumë miniera krijojnë vende pune të paguara keq që i mbajnë punëtorët në varfëri.

Kolwezi është kryeqyteti i kobaltit atje, një qytet i përcaktuar aq shumë nga minierat saqë disa komunitete ulen në buzë të kratereve gjigante që janë gërmuar në kërkim të bakrit dhe kobaltit.

Është minierë në një shkallë masive, shumë e mekanizuar dhe e varur nga teknologjia e fundit, por e fuqizuar nga mijëra punëtorë, të cilët, si Pierre, janë të punësuar si përpunues mineralesh, shoferë, mekanikë, saldatorë apo roje sigurie.

Në 15 vitet e fundit, kompanitë kineze kanë filluar të hyjnë në biznesin e minierave, duke blerë kompani të Amerikës së Veriut dhe Evropës, në mënyrë që të kontrollojnë shumicën e minierave të kobaltit dhe bakrit në jug të republikës kongoleze.

Por me këtë ka ardhur edhe abuzimi, diskriminimi dhe racizmi.

Punëtorët tregojnë se ndjehen të fyer dhe pretendojnë se paguhen më pak se punëtorët kinezë që bëjnë të njëjtën punë. Gjithashtu pretendojnë se mbikëqyrësit kinezë shpërfillin përvojën e tyre dhe e vendosin prodhimin përpara sigurisë.

“Po trajtohemi në një mënyrë shumë të keqe nga kinezët. Vetë jam viktimë e sulmit. Më kanë goditur katër herë në fytyrë”, ka rrëfyer Mutamba, një tjetër punëtor në TFM.

Gjatë hetimit të “The Guardian”, punëtorët e intervistuar nga “The Guardian” kanë treguar se ishin thellësisht të indinjuar me mënyrën se si u trajtuan, por ndiheshin të pafuqishëm për të protestuar.

Ndërkohë, një zëdhënës i CMOC-së ka thënë se kompania i përmbahet një numri konventash ndërkombëtare të punës dhe ligjeve lokale të punës.

“Jemi të përkushtuar për të ofruar një mjedis pune të sigurt, të shëndetshëm dhe të denjë për të gjithë punonjësit dhe i kushtojmë rëndësi të madhe mbrojtjes së të drejtave të punonjësve”, ka theksuar zëdhënësi.

Nxjerrja e kobaltit dhe bakrit është një burim jetik i të ardhurave për qeverinë e republikës dhe krijon dhjetëra mijëra vende pune në një rajon me pak mundësi të tjera punësimi.

Por në disa miniera shumica e punëtorëve punësohen përmes nënkontraktorëve.

Përdorimi i nënkontraktorëve mund t’i lërë punëtorët në një pozitë jashtëzakonisht të pasigurt: të punësuar shpesh me kontrata afatshkurtëra, ose pa kontratë fare, me përfitime të kufizuara dhe paga të ulëta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore