Lajme

Maqedoni Veriut: Pezullohen dy zyrtarët policorë të dyshuar për marrje ryshfeti


Ilustrim

Dy zyrtarët policorë të angazhuar me punë në vendkalimin kufitar Maqedoni e Veriut-Kosovë të dyshuar për marrje të ryshfetit, janë pezulluar nga puna.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, duke shtuar se ky institucion do të dorëzojë kallëzim penal kundër policëve si dhe do të iniciojë procedurë disiplinore.

Aksioni i MPB-së dhe i organit të akuzës erdhi pas denoncimit që bëri emisioni “Stop” i transmetuar në televizionin Klan në Shqipëri. Denoncimi i ardhur nga një biznesmen ka bërë që pretendimet e tij për ryshfet në pikat kufitare jo vetëm atë në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të vërtetohen me prova materiale.

Në video incizimin e publikuar, të siguruar falë kamerave të fshehura dëshmohen pretendimet e biznesmenit se në pikën kufitare “Bllacë”, policia i kërkon kompanive të transportit publik 20 euro për kokë udhëtari.

Personi i cili prezantohet si shefi i vetëm i pikës kufitare quhet Elham Shkreta, i punësuar në pikën kufitare në “Bllacë” dhe i angazhuar në detyrë si shef ndërrimi. Kolegu i tij i cili mban në duar pasaportat dhe vendos çmimin për kokë udhëtari quhet Zylbehar Rakipi.

Gjatë bashkëbisedimit, shoferi i furgonit që po transportonte udhëtarë merret vesh me nëpunësin Shkreta që të ndahen 20 euro për kokë udhëtari.

Biznesmeni i cili në këtë rast paraqitet si palë e dëmtuar, shton se në këtë mënyrë punojnë edhe pikat tjera kufitare përfshi edhe atë në Tabanovc, kufiri me Serbinë. Materiale dyshohet të jetë siguruar më herët, ndërsa është publikuar pas përfundimit të aksionit policorë që kanë ndërmarr strukturat e SPAK-ut në Shqipëri dhe IPK-ja në Kosovë duke arrestuar 26 policë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mit marrje dhe kontrabandë.

Në Maqedoni të Veriut, Kodi Penal sanksionon marrjen e ryshfetit nga personi zyrtarë me 4 deri në 10 vite burg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore