Lajme

Maqedoni e Veriut: “Kush punon të dielen gjobitet“


Shkup, Maqedoni e Veriut

Maqedonia e Veriut e ka rregulluar me ligj që dita e diele të jetë ditë pushimi.

Më tre janar të këtij viti, hyn në fuqi ligji për të punësuarit në sektorin e tregtisë.

Por, edhe pse kishin të drejtë pune, shumë markete të mëdha e të vogla, më dy janar mbetën të mbyllura.

Prej kësaj jave, rregullat e reja vlejnë për gastronominë dhe sektorët e tjerë në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës.

“Ishim këtu në këtë restorant, kemi mbikëqyrur dhe kemi konstatuar se punëdhënësi nuk ka qenë i informuar për ndryshimet në Ligjin për marrëdhëniet e punës dhe nuk e ka njoftuar inspektoratin e punës”.

“Unë dhe kolegu im do të plotësojmë procesverbalin dhe do t’i bëjmë paralajmërim punëdhënësit sipas ligjit të punës”, tha Lulzim Farizi Inspektorati Shtetëror i Punës, për Alsat M.

Për ato kompani që sipas zgjidhjes ligjore nuk lejohen të punojnë të dielave ndërsa inspektorati e vërteton të kundërtën, duke shkelur ligjin, do të gjobiten. Gjoba fillon duke dënuar pronarin e biznesit me ndalesë pune për 15 ditë pune, ndërsa nëse vepra përsëritet gjoba dyfishohet, në 30 ditë pune.

Ndërsa sa i përket gjobës monetare, ajo varet nga madhësia e kompanisë dhe lëvizë nga 200 deri në 1000 euro.

“Tash e tutje punëdhënësi e ka obligim, ata punëtorë që do t’i punësojë në detyrë të dielën paraprakisht duhet të futen në listë dhe ajo listë të dërgohet në Inspektoratin e Punës më së voni deri të shtunën”.

“Në këtë mënyrë, autoritetet do të kenë pasqyrë se cilët punëtorë janë angazhuar të dielën dhe nëse kanë marrë pagë më të lartë ditore për angazhimin e tyre”, raporton gazetari i Alsat, Ile Petreski.

Qendrat tregtare kanë të drejtë të punojnë të dielave, nga ora 10 deri në 20, ndërsa mëditjet e punonjësve të rriten për 100%. Të dielën do të jenë të hapura farmacitë, pikat e karburantit, prodhimi i bukës dhe të gjitha aktivitetet e tjera ku është e pamundur të ndalet procesi i prodhimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore