Lajme

Maqedonci takon Zëvendës-sekretaren amerikane të Mbrojtjes: ShBA-të mbeten partneri ynë kryesor strategjik


Ejup Maqedonci dhe Sasha Baker

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) është takuar me Zëvendës-sekretaren e Mbrojtjes, Sasha Baker, ndihmës-sekretaren e Mbrojtjes për Çështje Ndërkombëtare të Sigurisë, Celeste Wallander, ndihmës-sekretaren e Mbrojtjes për Evropë dhe NATO, Lisa Sawyer si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Departamentit të Mbrojtjes, me të cilët ka biseduar për raportet bilaterale.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka thënë se zëvendës-sekretarja Baker, shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e Kosovës për stabilitetin e regjionit të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen që Kosova po jep për luftën e drejtë të popullit të Ukrainës kundër agresionit rus.

“Në takim u diskutua për raportet bilaterale ushtarake, planin e tranzicionit, mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në aspektin e trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta si dhe konsultimet rreth planit bilateral të mbrojtës që do të diskutohet në fillim të vitit 2024”, shkroi Maqedonci.

Gjithashtu në këtë takim, ministri theksoi se kanë “ri-konfirmuar synimin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes si dhe vazhdimin e koordinimit të përbashkët për të kontribuar për paqen dhe sigurinë në regjion dhe më gjerë”.

Maqedonci ka njoftuar se vizitën në Departamentin e Mbrojtjes e ka vazhduar me takimin me Douglas Bush, ndihmës-sekretar i Ushtrisë së ShBA-ve për blerje ushtarake, logjistikë dhe teknologji.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri ynë kryesor strategjik”, përfundoi ai.

Ndryshe, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, është takuar të mërkurën me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të cilit i ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), vazhdon të ketë mbështetje nga ShBA-të.

Përmes një postimi në platformën X, top-diplomati amerikan e ka cilësuar FSK-në si profesionale dhe të ndërveprueshme nga NATO-ja.

“Ne e mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës derisa ajo kalon në një forcë mbrojtëse territoriale multi-etnike, profesionale, të ndërveprueshme nga NATO-ja, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile. Sot u takuam me ministrin kosovar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe riafirmuam partneritetin tonë me Kosovën”, ka shkruar ai O’Brien.

O’Brien takon Maqedoncin, i jep mbështetje FSK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore