Kosova

Maqedonci për operacionin “Interflex”: FSK-ja trajnoi mbi 30 mijë rekrutë


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se në operacionin “Interflex”, janë trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), rreth 34 mijë rekrutë.

Lajmin e ka bërë të ditur Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Përkrah Mbretërisë së Bashkuar, Kosova si shtet pjesëmarrës në operacionin Interflex, përmes instruktorëve të FSK-së vazhdon të ofroj kontribut në trajnimin e rekrutëve ukrainas”.

“Deri më tani në këtë operacion janë trajnuar 34,000 rekrutë”, ka shkruar Maqedonci.

Më 12 janar, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kishte bërë të ditur se gjatë muajit janar kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), do të zbarkojë në Mbretërinë e Bashkuar për operacionin INTERFLEX.

“Operacioni Interflex zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ka për qëllim trajnimin e trupave të Ushtrisë së Ukrainës”.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kishte ofruar gatishmëri që të angazhojë instruktorë për të ndihmuar procesin e stërvitjes së ushtrisë ukrainase në kuadër të këtij operacioni.

Më 19 janar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i kishte uruar suksese kontingjentit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët ishin nisur për në Mbretërinë e Bashkuar për operacionin “INTERFLEX”.

Ky operacion realizohet në mbështetje dhe përgatitje të personelit ushtarak të Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore