Lajme

“FSK-ja gjatë muajit janar do të zbarkojë në Mbretërinë e Bashkuar për operacionin Interflex”, thotë Maqedonci


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se gjatë muajit janar kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), do të zbarkojë në Mbretërinë e Bashkuar për operacionin INTERFLEX.

Lajmin e ka bërë të ditur Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Operacioni Interlfex zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ka për qëllim trajnimin e trupave të Ushtrisë së Ukrainës”.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë ofruar gatishmërinë që të angazhojnë instruktorë për të ndihmuar procesin e stërvitjes së ushtrisë ukrainase në kuadër të këtij operacioni. Kësisoj, Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i bashkëngjisë një kontingjent të instruktorëve profesionistë njësisë së Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar që realizon operacionin Interlfex”, ka shkruar ai.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ndërsa, ka theksuar se ky angazhim i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është në linjë me qëndrimin e institucioneve të Kosovës në mbështetje të popullit dhe luftës së drejtë të Ukrainës.

Për këtë arsye gjatë të premtes ai është takuar edhe me një grup të gazetarëve nga Ukraina.

“Si pjesë e përgatitjeve që po bëhen për këtë operacion, sot takova një grup gazetarësh ukrainas të cilët kanë vizituar Ministrinë e Mbrojtjes me qëllim diskutimin rreth situatës aktuale në Ukrainë dhe ofrimin e njohurive kulturore dhe gjuhësore për pjesëtarët e FSK-së të cilët do të qëndrojnë për gjashtë muaj nën ombrellën e Ushtrisë Britaneze për të kontribuar në trajnimin e ushtarëve ukrainas”.

Në muajin shkurt të 2023-ës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj kushtetuese, kishte nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacion ndërkombëtar humanitar në Republikën e Turqisë për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve.

Ndërsa Qeveria përmes një mbledhje elektronike kishte miratuar vendimin për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së, sipas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti në Turqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore