Lajme

Maqedonci kërkon nga ndërkombëtarët reagim të ashpër ndaj grupeve terroriste serbe në takimin ministror SHBA-A5


Takimi ministror SHBA-A5

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, të enjten ka marrë pjesë në takimin ministror midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe shteteve anëtare të Kartës së Adriatikut (A5), në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku ministrat e Mbrojtjes kanë diskutuar mbi situatën aktuale të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Maqedonci, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të enjten, ka deklaruar se pret reagim të qartë dhe të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar ndaj veprimeve të grupeve terroriste serbe, derisa shtuar se Kosova është e vendosur për të siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial, gjithnjë në koordinim me partnerët ndërkombëtar.

Ai ka kërkuar mbështetjen e vendeve anëtare për anëtarësim të plotë të Kosovës në grupin A5, derisa në takim pjesëmarrës ishin edhe ministrat e mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, Malit të Zi dhe zëvendëssekretarja e Mbrojtjes së SHBA-së e përfaqësues të tjerë.

Maqedonci në adresimin e tij ka theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit rajonal me qëllim përballjen me sfidat e reja sigurisë, që vijnë si rezultat i qasjes keqdashëse të akterëve rajonalë e globalë, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Karta SHBA-A5 mbetet forum unik i bashkëpunimit rajonal dhe është e vetmja iniciativë rajonale e sigurisë që përfshin SHBA-të. Vendet anëtare të A5 janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi , Maqedonia e Veriut dhe SHBA-të, ndërsa vëzhguese Kosova, Sllovenia dhe Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore