Sport

Mane mund të transferohet te Chelsea


Sadio Mane mund të rikthehet në Premier Leauge, ku skuadra e Chelsea-t ka shprehur interesim për transferimin e tij.

Grushtet që i dha Leroy Sane-s dhe mbi të gjitha paga e lartë prej rreth 20 milionë euro në sezon janë bërë një problem i Bayern-it, të cilët me shumë gjasë do ta largojnë nga ekipi.

Mane u largua nga Liverpooli verën e kaluar për t’u bashkuar me kampionët e Bundesligës.

Fillimi ishte pozitiv në Gjermani, duke shënuar 11 gola në 23 paraqitjet e tij të para për klubin bavarez, megjithatë, senegalezi pësoi një dëmtim në nëntor, i cili e mbajti atë jashtë fushës deri në muajin shkurt.

Që nga kthimi ai ka luftuar për të rifituar formën e tij, duke shënuar vetëm një gol në 11 paraqitje në të gjitha garat.

Situata u përkeqësua kur Mane u përfshi në një grindje në dhomën e zhveshjes me shokun e skuadrës së Bayern-it, Leroy Sane, pas humbjes në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Manchester City-t.

Chelsea sheh me afrimin e Mane-s zgjidhjen e problemeve kryesore në sulm, pasi ai mund të luajë në disa pozicione në fazën e avancuar.

Bayern thuhet se dëshiron të rikuperojë shumën 27 milionë funtesh plus shtesat që i pagoi Liverpool-it për shërbimet e tij, shumë kjo që nuk do të ishte aspak problem për blutë e Londrës.

Përvoja e tij gjithashtu në Premier League është një bonus i madh për të firmosur me ekipet angleze.

Gjatë periudhës së tij me Southampton-in dhe Liverpool-in, Mane ka shënuar 111 gola dhe ka dhuruar 47 asistime në 263 paraqitje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore