Euro 2020

Mancini: Është e padrejtë që stadiumi të mos mbushet me italianë dhe spanjollë


Italia dhe Spanja do të përballen me njëra-tjetrën në gjysmëfinalen e parë të Kampionatit Evropian “Euro 2020”.

Ndeshja do të zhvillohet këtë të martë me fillim nga ora 21:00, në stadiumin “Wembley” të Londrës, që pritet ta shijojnë nga afër rreth 60 mijë tifozë.

Mirëpo shumica e tifozëve të pranishëm, pritet të jenë neutral, pasi kombëtaret e tyre do të mund t’i përkrahin vetëm ata tifozë italianë dhe spanjollë që janë në Britaninë e Madhe, pasi që nuk pritet të ketë udhëtime, për shkak të masave Covid-19.

Kujtojmë që në masat anti-Covid, Britania e Madhe ka vendosur që çdo i huaj që udhëton atje, t’i nënshtrohet karantinimit.

Këtë ngjarje e ka komentuar trajneri i Italisë, Roberto Mancini, i cili në konferencën për media tha se është e padrejtë që tifozët italianë dhe ata spanjollë, nuk do të mund ta ndjekin ndeshjen nga afër.

“Unë mendoj se është e padrejtë që nuk do të kemi gjysmën e stadiumit plot tifozë italianë dhe gjysmën e stadiumit plot spanjollë”, tha Roberto Mancini.

Strategu italian u ndal duke komentuar edhe ndeshjen, duke thënë se nuk do ta kenë aspak të lehtë këtë ndeshje.

“Po shpresoj që do ta fitojmë këtë ndeshje, por e dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë. Pavarësisht se Spanja ka në përbërje futbollistë të rinj, ata kanë një skuadër të shkëlqyer dhe një trajner shumë të mirë, kështu që nuk do të jetë një ndeshje e vështirë”, përfundoi Roberto Mancini.

Kujtojmë që Italia me Roberto Mancini-n në krye, deri më tani ka fituar deri më tani të gjitha ndeshjet e “Euro 2020”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore