Sport

Mancini: Duam ta fitojmë Kupën e Botës në vitin 2026


Roberto Mancini ishte i kënaqur me kualifikimin e Italisë në “Final Four” të Ligës së Kombeve dhe nënvizoi ambiciet e ekipit përpara Kupës së Botës 2026.

Të kaltrit nuk arritën të kualifikohen në Kupën e Botës që do të zhvillohet për pak javë në Katar, që do të thotë se ata do të duhet të presin deri në vitin 2026 për të tentuar tjetrën mundësi të luajnë në një Kupë Bote.

Turneu, i organizuar në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Meksikë vjen saktësisht 20 vjet pasi Italia fitoi Kupën e Botës në vitin 2006.

Duke folur në Samitin Social të Futbollit në Romë, Mancini reagoi fillimisht për kualifikimin e suksesshëm të Italisë në “Final Four” të Ligës së Kombeve.

“Ne e merituam “Final Four” të Ligës së Kombeve, mundëm Anglinë që mund të fitojë Kupën e Botës në Katar”, tha trajneri italian.

“Djemtë vendosën gjithçka në një kohë kur kushtet e tyre nuk janë optimale, ne ndryshuam sistemin tonë të lojës dhe ata bënë mirë”, shtoi ai

Trajneri 57-vjeçar, tutje shpalosi ambiciet e Italisë përpara Kupës së Botës 2026 në Amerikën e Veriut.

“Për të luajtur një Botëror duhet të presim edhe katër vite të tjera, por ne duam të përpiqemi të shkojmë në Amerikë dhe të fitojmë, ky është qëllimi ynë”, theksoi Mancini.

Ish-trajneri i Inter-it dhe Manchester City-t më pas tregoi se çfarë e bindi atë të qëndronte në stol të Italisë pas dështimit të kualifikimit në Katar.

“Të gjithë ishin shumë pozitiv ndaj meje, atëherë fitimi i Kampionatit Evropian është gjëja më e mirë që mund të kem në punën time”.

Kujtojmë që Italia është kualifikuar në mesin e katër kombëtareve më të mira në Ligën e Kombëve së bashku me Kroacinë, Spanjën dhe Holandën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore