Sport

Manchester United: Erik ten Hag përballet me uljen e pagës me 25 për qind


Erik ten Hag

Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag raportohet se po përballet me një ulje të pagës prej 25% në “Old Trafford”, nëse ai do të vazhdojë punën e tij në sezonin 2024-25.

Aktualisht ka spekulime të përhapura rreth të ardhmes së holandezit, me aksionerin e ri minoritar të klubit, Sir Jim Ratcliffe, që thuhet se ka hartuar një listë të ngushtë prej 10 emrash të zëvendësuesve të mundshëm.

Ten Hag ka arritur t’i udhëheqë “Djajtë e Kuq” në një tjetër finale të FA Cup, por skuadra aktualisht është e shtata në tabelën e Premier League, 16 pikë prapa Aston Villa-s së vendit të katërt, megjithëse me dy ndeshje më pak.

Si rezultat, një vend në Champions League të sezonit të ardhshëm ka shumë pak gjasa, dhe sipas “ESPN”, mungesa në kompeticionet evropiane do të sjellë uljen e pagës së Ten Hag me 25%.

Raporti pretendon se ish-trajneri i Ajax-it aktualisht fiton rreth 9 milionë paundë në vit, kështu që ulja do të bënte që paga e tij të ulet në rreth 6.75 milionë paundë.

Pavarësisht vështirësive të skuadrës gjatë sezonit 2023-24, kuptohet që klubi ende po planifikon të ketë në krye Ten Hag në fillimin e sezonit të ardhshëm.

Holandezi mund të sjellë trofe këtë sezon, me “Djajtë e Kuq” që do të përballen me Manchester City-n në finalen e FA Cup në fund të majit.

Megjithatë, më shumë paraqitje dhe rezultate të dobëta në fazat e fundit të fushatës së Premier League mund të çojnë në një rishikim të situates.

Jason Wilcox është sjellë si drejtor i ri teknik i klubit dhe Ten Hag ka thënë se mezi pret të punojë me 53-vjeçarin në “Old Trafford”.

Kolapsi i Man United në fazat e fundit të gjysmëfinales së FA Cup me Coventry City të dielën pasdite ishte shqetësues, por ata arritën të përparojnë në finale.

Është gjithashtu e vërtetë se klubi ka pasur probleme të rënda dëmtimesh këtë sezon, me Ten Hag që ka qenë pa një numër lojtarësh të rëndësishëm për periudha të gjata, gjë që ka pasur një ndikim të madh në paraqitjet dhe rezultatet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore