Shqipëria

Manastirliu: Zgjatet fasha e lëvizjes, Shqipëria e hapur deri në 22.00


Komiteti i Ekspertëve ka vendosur zgjerimin e fashës orare të lëvizjes deri në orën 22.00. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një dalje publike për mediat.

Gjithashtu, është bërë me dije se fluturimet me Britaninë e Madhe, do të rihapen.

Masat do të hyjnë në fuqi nga dita e hënë.

Por, sipas ministres, “rreziku vazhdon të jetë eminent”. “ Masat duhet të vazhdohet të respektohen. Si mbajtja e maskës në ambiente publike, ashtu edhe distancomi social”.

Ky vendim i Komitetit të Ekspertëve vjen pas një uljeje të incidencës dhe kurbës së infektimeve.

“Incidenca mujore është ulur. Rastet janë më të pakta dhe shtrimet në spitale gjithashtu. Kurba është në rënie. Kjo është mëritë e masave dhe e fushatës së vaksinimit”.

Për sa i përket rajonit, Manastirliu tha se “masat janë në shtrëngim dhe kurbat e infektimit në rritje”. “Kostot tona do të ishin shumë më të larta nëse masat nuk do të ishin marrë”.

Niveli i pozitivitetit në Shqipëri ndërkaq ka rënë në 12% sipas ministres. Shihet një ulje edhe në këtë aspekt sipas saj.

Ndërsa, fushata e vaksinimit, është quajtur “shumë e suksesshme nga ajo”.

“Kemi vaksinuar mbi 182 mijë të moshuar. Procesi është përfunduar për bluzat e bardha. Për policët dhe arsimtarët vazhdon ende dhe përfundon këto ditë. Pritet ardhja e vaksinave të tjera nga të katër kompanitë e certifikuara në Shqipëri”.

Shqipëria jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, është një ndër vendet me fushatën më të mirë të vaksinimit gjatë dy javëve të fundit. Për 100 banorë, në Shqipëri administrohen më shumë doza vaksinash se në vendet e Bashkimit Evropian.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore