Shqipëria

Manastirliu: Sot, një vit më parë, nisi përballja e vështirë me Covid-19


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë ditës së martë, vizitoi spitalin e Covid 1. Aty ku, një vit më parë, nisi përballja e vështirë me pandeminë e Covid-19.

Manastirliu theksoi faktin se, me punën dhe përkushtimin e mjekëve dhe infermierëve, ia kanë dalë mbanë të mbajnë situatën nën kontroll, duke e përballuar me dinjitetin sfidën që njerëzimi e ndesh një herë në 100 vite.

“Mbështesim vijën e parë të frontit. Ne kemi krijuar një bonus të veçantë për këta punonjës”.

Ministrja tha se spitalet e kanë rritur kapacitetin, duke dyfishuar gjithashtu dhe aparaturat mjekësore.

“Drita në fund të tunelit sa vjen e bëhet më e qartë, me vijimin e vaksinimit anti-Covid”.

Ajo bëri me dije se ky proces do të vazhdojë pa u ndalur, derisa çdo qytetar të marrë dozën e vaksinës.

“Çdo qytetar do të mbrohet nga virusi i rrezikshëm deri në zmbrapsjen përfundimtare të pandemisë”.

Ajo shprehu ngushëllimet për jetët e humbura në Shqipëri për shkak të coronavirusit.

“Bilanci sigurisht është i dhimbshëm, kemi 1 mijë e 956 jetë të humbura, por për fat kemi shpëtuar shumë të tjerë”.

“Punë dhe sakrificë. Kërkon bashkëpunimin e qytetarëve. Falënderim i madh për ekipin që ka treguar forcë përkushtim dhe profesionalizëm për të menaxhuar situatën”, e përmbylli Manastirliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore