Lajme

Manastiri spanjoll pranon vajza në kor për herë të parë në historinë e tij 700-vjeçare


Vajzat do të pranohen në një kor në manastirin Montserrat pranë Barcelonës, shtëpia e korit të famshëm të djemve Escolania, për herë të parë në historinë e tij 700-vjeçare.

Kori i ri i përbërë nga një përzierje prej rreth 25 djemsh dhe vajzash të moshës 17 deri në 24 vjeç, do të jetë i ndarë nga Escolania, i cili përbëhet nga 45 djem të moshës 9 deri në 14 vjeç

Ati Efrem de Montellà i manastirit ka treguar se kori i përzier do të marrë përsipër detyrat liturgjike të Escolania-s një fundjavë në muaj për t’u dhënë pushim djemve.

“Shpesh na pyesin pse nuk ka asnjë vajzë në Escolania. Është një pyetje komplekse dhe e vështirë. Ne ndjekim një traditë që do të donim ta vazhdonim, por gjithashtu e kuptojmë se duhet t’i përgjigjemi kërkesës”, ka thënë De Montellà.

“Për të përfshirë të gjitha vajzat që dëshirojnë të këndojnë në Montserrat, ne kemi vendosur të krijojmë këtë kor të dytë”, ka thënë ai duke e përshkruar atë si një “hap historik” për një kor që ka ekzistuar vazhdimisht që nga ajo kohë.

Megjithëse filozofia e dy koreve është e njëjtë, Pau Jorquera do të vendosë për ekuilibrin ideal të zërave.

Pas një debati të gjatë, masa për përfshirjen e vajzave u vendos në një votim nga urdhri benediktin që drejton manastirin nën abatin e sapoemëruar, Manel Gasch.

Nxënësit në Montserrat studiojnë kurrikulën standarde të shkollës, si dhe mësojnë të luajnë piano dhe një instrument tjetër, ndërsa studiojnë teorinë muzikore dhe këndimin koral.

Meqenëse ata në kor janë kryesisht konviktorë dhe gjithashtu u kërkohet të performojnë gjatë fundjavave dhe ditëve të festave, De Montellà ka thënë se kjo i rëndon shumë familjet e tyre.

Duke u dhënë koristëve një fundjavë pushim çdo muaj, kori i përzier duhet t’i ndihmojë familjet të vendosin nëse duan që fëmija i tyre të bashkohet me Escolania-n.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore