Lajme

Mali i Zi ndihmon ushtrinë e Ukrainës


Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviç dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkruan një deklaratë të përbashkët për perspektivën euroatlantike të Ukrainës, shkruan Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe.

Me të, siç sqarojnë Qeveria, Mali i Zi po përpiqet të mbështesë mbrojtjen e Ukrainës, duke dhuruar 11 për qind të mjeteve nga buxheti ushtarak, si dhe në aspektin humanitar dhe pritjen e mijëra refugjatëve.

“Faleminderit juve dhe popullit të Malit të Zi për mbështetjen që nga dita e parë. Mali i Zi është gjithashtu një shtëpi për refugjatët, gratë, fëmijët dhe familjet që kanë nevojë për mbështetje që nga fillimi i agresionit. Faleminderit që besuat në fitoren tonë”, tha Zelensky.

Pas Belgjikës dhe Republikës Çeke, Mali i Zi është vendi i tretë në Evropë që nënshkruan këtë deklaratë.

“Mali i Zi mbështet pa mëdyshje Ukrainën në mbrojtjen e integritetit të saj dhe të drejtën e saj për të zgjedhur se si dëshiron të jetojë dhe me cilat organizata dëshiron t’i bashkohet”, theksoi Abazoviç.

Sipas Abazoviç-it, Mali i Zi është vendi i parë në rajon për nga numri i refugjatëve.

“Aktualisht ka më shumë se 10 mijë ukrainas dhe numri mund të rritet gjatë muajve të dimrit. Në bashkëpunim me Ambasadën e Ukrainës, ne po punojmë për të ndihmuar ardhjen e njerëzve për rehabilitim në Mal të Zi”, tha Abazoviç.

Sipas tij, pa solidaritet, “shembulli negativ nga Ukraina mund të jetë i pranishëm edhe në pjesë të tjera të botës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore