Lajme

Macron fton Netanyahu-n në Paris pas fitores


Presidenti francez Emmanuel Macron uroi të dielën e 6 nëntorit kryeministrin e ardhshëm izraelit Benjamin Netanyahu dhe e ftoi atë në Paris.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë izraelite, duke cituar deklaratën e zyrës së Netanyahu-t.

Kryeministri i mandatuar e pranoi ftesën.

Gjatë bisedës telefonike, “dy udhëheqësit ranë dakord për të vazhduar forcimin e marrëdhënieve midis vendeve dhe për të diskutuar sfidat rajonale, të udhëhequra nga Irani”, thuhet në deklaratë.

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ende nuk e ka telefonuar Netanyahun pas fitores së tij në zgjedhje javën e kaluar, në të cilën blloku i tij i krahut të djathtë mori 64 ulëse në Knesset-in e 25-të (parlamentin e Izraelit).

Megjithatë, ambasadori amerikan në Izrael, Thomas Nides, të enjten e kaluar telefonoi liderin aktual të opozitës dhe kreun e Likud-it.

Nides u shpreh se ai “e përgëzoi për fitoren e tij dhe i tha se mezi pres të punojmë së bashku për të ruajtur lidhjen e pathyeshme” midis dy vendeve.

Udhëheqës të tjerë botërorë që kanë uruar Netanyahu-n deri më tani përfshijnë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministrin hungarez Viktor Orban, udhëheqësin indian Narendra Modi dhe kryeministren e zgjedhur së fundi të Italisë, Giorgia Meloni.

Netanyahu u rrëzua nga pushteti vitin e kaluar pas 12 vitesh radhazi në pushtet, duke u bërë kryeministri më jetëgjatë i Izraelit.

Megjithatë, lideri politik bëri një rikthim të fuqishëm në skenën botërore me fitoren e tij të fundit në zgjedhjet parlamentare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore