Lajme

Macron: Do të duhet të flasim me Rusinë, kur dhe si e vendos Kievi


Presidenti francez Emmanuel Macron mbështet mbajtjen e bisedimeve të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë.

Kjo, sipas kushteve të Kiev-it në një kohë kur është e përshtatshme për Ukrainën.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për shtyp në Egjipt në samitin COP27, duke cituar transmetuesin francez “TF1 INFO”.

Sipas Macron-it, Ukraina duhet “në një moment” të rifillojë negociatat për t’i dhënë fund luftës.

“Nga ana ime, si më parë, jam i bindur dhe supozoj se edhe tani, në një moment, do të duhet të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, tha presidenti francez, duke shtuar megjithatë se kjo duhet “të bëhet brenda kornizës të kushteve dhe brenda afateve, të cilat do të zgjidhen nga Ukraina”.

Macron gjithashtu vuri në dukje se parashtrimi i disa kushteve absolutisht radikale për negociatat do të ishte i nxituar duke pasur parasysh “tensionin e lartë në terren”.

Ai përmendi, në veçanti, ndërprerjet e energjisë dhe ujit me të cilat u përballën ukrainasit në lidhje me sulmet ruse.

“Konteksti aktual nuk na lejon të japim sqarime operacionale në këtë drejtim”, shtoi Emmanuel Macron.

Në të njëjtën kohë, gazeta amerikane “The Washington Post”, duke iu referuar burimeve të saj, raportoi se Shtëpia e Bardhë dyshohet se po i bën thirrje Kievit të demonstrojë gatishmëri për negociata me Rusinë në mënyrë private.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i kreut të Zyrës së Presidentit të Ukrainës, kujtoi se Ukraina kurrë nuk i ka refuzuar plotësisht negociatat me Rusinë, por ka një kusht të qartë – tërheqjen e forcave ruse nga territori i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore