Lajme

Maastricht shtrëngon masat për çiklistët, konfiskon biçikletat e parkuara ilegalisht


Në Holandë, zyrtarët po trajtojnë problematikën e “parkingut të egër” duke konfiskuar biçikletat e vendosura ilegalisht dhe duke rritur dënimet për t’i kthyer ato.

Këtë vit, qyteti jugor i Maastricht i ka ndaluar njerëzit që t’i braktisin biçikletat e tyre duke i lënë në rrugë.

Kurse tani po dyfishon gjobat që u ngarkon njerëzve që duan të rimarrin biçikletat e sekuestruara.

Për të qenë të ligjshëm, çiklistët në brendësi të qytetit duhet të parkojnë në një vend të posaçëm biçikletash.

Nga janari, atyre që u është konfiskuar një biçikletë do të duhet të paguajnë 50 euro për ta liruar atë.

Maastricht ka pak më shumë se 120 mijë banorë, rreth një e pesta e tyre studentë, dhe parkimi i biçikletave ka qenë një problem prej vitesh.

Këtë vit, 2 mijë e 159 biçikleta “të parkuara në mënyrë të paligjshme” janë marrë deri më tani, sipas këshillit.

Vitin e kaluar totali ishte 2 mijë e 611.

Sakaq, një fushatë e re synon të inkurajojë çiklizmin e përgjegjshëm.

“Është pozitive të shohësh se gjithnjë e më shumë njerëz po përdorin një biçikletë”, ka thënë kryebashkiaku Wim Hillenaar.

“Por nga ana tjetër, kjo ndonjëherë sjell probleme në hapësirën publike dhe ky vendim është për shkak se numri i biçikletave të parkuara gabimisht mbetet shumë i lartë pavarësisht të gjitha përpjekjeve”, ka shtuar ai.

Në qytet, ka ambiente magazinimi për biçikleta komunale ku ato mund të mbahen maksimumi 14 ditë dhe është e ndaluar të parkosh kudo, përveç në një vend të posaçëm biçikletash në brendësi të qytetit.

Qyteti ka ndërtuar garazhe për biçikleta, por ka gjetur se njerëzit ende priren t’i sigurojnë biçikletat e tyre në shtyllat e ndriçuesve rrugorë pasi parkimi në garazhe nuk i pengon domosdoshmërisht hajdutët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore