Lajme

Maas në Prishtinë flet për ‘non-paper’-in slloven – Gjermania kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan


Konferenca e përbashkët për shtyp – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas

Ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk do të çonte drejt një zgjidhje potenciale, por do të ashpërsonte raportet edhe më shumë, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Heiko Mass, në konferencë për media, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën e tij zyrtare në Prishtinë.

Prandaj, Maas ka theksuar se Gjermania ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër ri-vizatimeve kufitare në Ballkan, kur është pyetur për “non-paper”-in slloven.

Megjithatë, ai ka thënë se kjo letër doli fillimisht si jo zyrtare dhe si e tillë duhet të trajtohet sa herë që flitet për të.

“Nuk e di nëse ka projekte të tilla pasi që është folur për një ‘non paper’. Ndërsa për konstatimet që i përmban rreth ndryshimit të kufijve, qeveria gjermane i refuzon në mënyrë kategorike. Sepse, kjo nuk do të çonte drejt zgjidhjes së konflikteve, por do t’i ashpërsonte ose t’i shtonte ato”, ka deklaruar Maas para gazetarëve.

Ai madje ka folur edhe për qëndrimin tej-gjerman. Ka thënë se as Bashkimi Evropian nuk preferon një iniciativë të tillë.

“Edhe në BE është shprehur një mendim që edhe brenda BE-së askush nuk do ta imagjinonte që kjo të bëhet realitet”.

Gjermani është shprehur edhe për dialogun që pret të vazhdojë në mes të Kosovës e Serbisë. Nuk ka hezituar të theksojë se Gjermania, ashtu si edhe më parë, do të kërkojë njohje të Kosovës nga Serbia.

“Natyrisht se njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjedhjes, përndryshe nuk do të realizohet”, pohoi Maas, por shtoi se kompromise do të duhet të bëjnë të dyja palët, pa përmendur natyrën e tyre.

“Në dialog ka kompromise, nuk dua të tërheqë linja të kuqe, por për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë dhe shpresoj që do të ketë gatishmëri për kompromise për sa i përket marrëdhënieve Kosovë – Serbi”.

Maas ka folur edhe për vaksina, duke premtuar se shteti i tij është i angazhuar në sigurimin e dozave për shtetet e Ballkanit.

Shefi i diplomacisë gjermane s’kanë lënë pa përmendur liberalizimin e vizave. Siç ka deklaruar në konferencë “presidentes Vjosa Osmani i kam shprehur edhe një herë qëndrimin e Qeverisë së Gjermanisë se është shumë e qartë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e liberalizmit të vizave”.

“Ne do të angazhohemi sa më shumë që liberalizimi i vizave për Kosovën të realizohet sa më shpejtë”, ka pohuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore