Lajme

Lutfiu takohet me Ministren serbe të Arsimit, ia paraqet disa kërkesa


Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, këtë të premte është takuar me ministren serbe të Arsimit, Slavica Dejanoviç, të cilës, ndër të tjera i ka kërkuar zgjidhje për tekstet në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në gjimnaze.

Përmes një postimi në Facebook, Lutfiu tregoi se ministren serbe të Arsimit e ka njoftuar për gjendjen e rëndë të shkollave shqipe në Serbi.

“5.3 milionë janë investimet që Serbia po i bën tek shkollat me mësim në gjuhën serbe vetëm në Komunën e Bujanocit, ndërsa shkollat shqipe përveç që janë me kushte të vështira, disa nga to paraqesin rrezik për jetën e nxënësve”, shkroi.

Foto: Nevzad Lutfiu

Kryetari i KKSh-së bëri me dije se ka kërkuar “licencimin e mësimdhënësve të Luginës (përmenda premtimin që ministria ia kishte bërë paraardhësit tim në lidhje me këtë temë)”.

“Përmenda mosnjohjen e diplomave, fenomeni që po i largon të rinjtë nga ky vend. Kërkova që pozitat e Inspektorit republikan dhe këshilltarit të arsimit të udhëhiqen nga shqiptarët, siç ka qenë më herët”, shtoi.

Në këtë takim, Lutfiu ka kërkuar edhe hapjen e paraleles shqipe tek shkolla e muzikës në Bujanoc.

“E njoftova se shkolla e Bilaçit ka filluar procedurën e ndërrimit të emrit dhe kërkova që ajo të miratojë emrin e ri të shkollës”.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore