Sport

Lumbardh Dellova drejt Rumanisë


Lumbardh Dellova

Liga kryesore e futbollit në Rumani po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për futbollistët nga Kosova. Emri më i fundit i lidhur me një kalim në Superligën rumune është ai i Lumbardh Dellovës të Ballkanit, i cili kërkohet nga Universitatea Craiova.

Sipas gazetës rumune “Gsp.ro”, Craiova interesohet për lojtarin më të mirë të vitit 2023 në Superligën e Kosovës dhe ata kërkojnë shërbimet e mbrojtësit gjatë kësaj merkatoje janari.

25-vjeçari nga Krusha e Madhe ka kontratë me Ballkanin deri në verën e këtij viti dhe klubi nga Theranda pret një ofertë për lojtarin këtë muaj.

Dellova është një nga lojtarët me vlerën më të lartë në tregun e transferimeve në Superligën e Kosovës. Kartoni i tij vlerësohet me 600 mijë euro sipas “Transfermarkt”, megjithatë, duke pasur parasysh kohëzgjatjen e kontratës së tij me Ballkanin, vlera e transferimit mund të jetë më e ulët.

Këtë sezon, lojtari i Kombëtares së Kosovës është paraqitur në 29 ndeshje mes Superligës, kualifikueseve të Champions League dhe Conference League, si dhe grupeve të Conference League. Dy gola dhe një asistim mbajnë emrin e tij.

Përsa i përketë Universitatea Craiova, skuadra aktualisht renditet në vendin e tretë në Superligën rumune me 34 pikë, 10 pikë pas liderit FCSB dhe dy pikë pas CFR Cluj-it të vendit të dytë.

Kujtojmë se në Superligën e Rumanisë aktivizohen disa lojtarë shqiptarë.

Rapid Bukureshti ka në përbërje tre lojtarë nga Kosova Albion Rrahmanin, Ermal Krasniqin dhe Florent Hasanin, me dy të parët që luajnë për Kombëtaren “Dardane”, ashtu si dhe Dellova.

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Arlind Ajeti aktivizohet me CFR Cluj. Klub në të cilin luan edhe lojtari i Kosovës U-21, Rion Zejnullahu.

Ish-lojtari i Shqipërisë, Naser Aliji luan për Voluntari-n. Një tjetër ish-lojtari i kuqezinjëve, Sherif Kallaku luan për Sepsi-n. Me këta të fundit aktivizohet edhe shqiptari që përfaqëson Maqedoninë e Veriut, Isnik Alimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore