Lajme

Lulzim Hisenin e emëroi Gërvalla kundërligjshëm si Konsull të Përgjithshëm në Strasburg – Kurti e Osmani e dinë por s’e shkarkojnë


Foto nga Albanian Post, Lulzim Hiseni

Qeveria e Kosovës mund ta ketë dëmtuar rëndë procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës pasi si konsull të përgjithshëm në Strasburg, vendi ku ndodhet selia e kësaj organizate, ka emëruar kundërligjshëm një diplomat pa gradat e nevojshme diplomatike.

Lulzim Hiseni, që aktualisht është Konsull i Përgjithshëm në Strasburg, ligjërisht nuk mund ta ekzekutojë atë detyrë, meqë nuk ka shkallën e duhur diplomatike sipas ligjeve të Kosovës.

Siç tregohet edhe në njoftimin e Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës Sindikale të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ), dokument të cilin e posedon Albanian Post, Hiseni “ishte ngritur për dy grada në të njëjtën kohë në mënyrë të kundërligjshme pa kaluar në Komision për Grada dhe Disiplinë”.

Hiseni – shpalos dokumenti i SHSASHJ’së – nuk plotësonte as kriteret për të konkurruar për postin e Konsullit të Përgjithshëm, aq më pak për t’u emëruar si i tillë.

Madje, Hiseni jo një, por dy grada i ka në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe rrjedhimisht emërimi i tij përbën shkelje të serishme të të njëjtit ligj.

Ai ligjërisht mban gradën e “sekretarit të parë” dhe me këtë gradë nuk lejohet të ushtrohet pozita e Konsullit të Përgjithshëm.

Për ta bërë të mundur, Hiseni mashtron dhe pa kaluar nëpër Komisionin e Gradave dhe të Disiplinës, që sipas Ligjit për Shërbimin e Jashtëm (neni 28, pika 2) është autoriteti për dhënien e gradave, merr fillimisht gradën “këshilltar” dhe më pas edhe atë të “ministrit këshilltar”.

Në një situatë të ligjshme gradimi bëhet në disa hapa, por para se gjithash, sipas Ligjit për Shërbyesit Civilë, duhet të shpallet konkursi.

Konkursi mund të jetë i brendshëm. Më pas pranohen aplikimet dhe komisioni i vlerëson kandidatët që më vonë të shpallë edhe fituesin. Që konkursi të jetë i vlefshëm, minimumi duhet të jenë tre kandidatë.

Pastaj kalohet nëpër komision, i cili përbëhet nga gjashtë anëtarë dhe kryetari i komisionit. Të gjithë ata marrin vendimin për gradim dhe dokumenti protokollohet e dërgohet në arkiv. Në arkivin e MPJD-së nuk ekziston një dokument kësisoj për Hisenin, meqë kjo procedurë s’u ndoq kurrë.

Por, në vend që të penalizohet për shkeljet, Hiseni u emërua Konsull i Përgjithshëm.

Për të gjitha shkeljet e kryera në këtë rast të informuar janë prej kohësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja, Vjosa Osmani.

Dokumenti i Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës Sindikale të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ) drejtuar Gërvallës, Kurtit, Osmanit

Nën subjektin “Shqetësimet në lidhje me zhvillimet e kundërligjshme në të kaluarën dhe zhvillimet e fundit” Këshilli Ekzekutiv i Shoqatës Sindikale për Anëtarë të Shërbimit të Jashtëm me datën 18 mars 2022 kishte njoftuar krerët e shtetit.

Në dokumentin që ka siguruar Albanian Post, të firmosur dhe vulosur nga Këshilli, ata shkruajnë se “e ripërsërisim kërkesën tonë që të rishikohen emërimet e tilla”.

Ata i bënin thirrje ministres, kryeministrit dhe presidentes, që bazuar në premtimet e tyre “të rishikohet dhe shfuqizohen të gjitha vendimet e paligjshme dhe të kthehet ligjshmëria në Shërbimin e Jashtëm”.

Nga Këshilli kërkonin që “të mos bëhen emërime në misione diplomatike/konsullore pa verifikimin e kritereve të ligjshmërisë së gradave”, derisa jepnin rastin e Hisenit si shembull.

Asnjë nga shqetësimet e përsëritura disa herë nga Këshilli nuk ka marrë përgjigje. Atyre s’iu ka kthyer letër prapa as ministrja, por as kryeministri dhe presidentja.

Përgjigje nuk ka marrë as Albanian Post kur ka kontaktuar MPJD-në rreth kësaj çështje.

Të pyetur se si ka ndodhur që një person që ka shkelur ligjin dhe është i graduar kundërligjshëm emërohet Konsull i Përgjithshëm në një nga pikat më të rëndësishme diplomatike siç është ajo e Strasburgut, nga MPJD kanë konfirmuar pranimin e pyetjeve, por as pas disa ditësh pritje nuk kanë kthyer përgjigje.

Përgjigje nuk ka kthyer as Konsulli i Përgjithshëm Hiseni, i cili është kontaktuar nga Albanian Post.

AP ka pyetur Hisenin për ankesën e Këshillit ku thuhet se është emëruar kundërligjshëm për arsye se është ngritur për dy grada në të njëjtën kohë në mënyrë të kundërligjshme, por ka refuzuar të përgjigjet.

Lulzim Hiseni, Donika Gervalla dhe Kreshnik Ahmeti (zevendes-minister i MPJD-se) diten e aplikimit te Kosoes per anetaresim ne KiE

Kosova ka aplikuar me 12 maj të vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ka kaluar pothuajse një vit dhe aplikimi i Kosovës akoma as s’është futur në agjendën për shqyrtim në instancat e KiE-së.

Nuk ka kaluar as në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të KiE-së të mbajtur me 2 shkurt.

Ditën kur Gërvalla kishte dorëzuar aplikimin ajo ishte e shoqëruar pikërisht nga Konsulli i Paligjshëm/Përgjithshëm Hiseni.

“Sot hapet një kapitulli i ri për Kosovën”, pati deklaruar atëherë Gërvalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore