Lajme

Lula zotohet të ndëshkojë mbështetësit e Bolsonaro-s


Presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva është zotuar të ndëshkojë mbështetësit e ish-udhëheqësit të vendit, Jair Bolsonaro, pasi ata sulmuan Kongresin.

Mbështetësit e liderit të rrëzuar të ekstremit të djathtë sulmuan gjithashtu Gjykatën e Lartë dhe rrethuan pallatin presidencial.

Por policia rifitoi kontrollin e ndërtesave në kryeqytetin Brasilia mbrëmjen e së dielës pas disa orë përleshjesh.

Me të mbërritur në qytet, Lula vizitoi godinën e Gjykatës së Lartë për të parë vetë dëmin.

Ministri brazilian i Drejtësisë, Flavio Dino tha për mediat lokale se rreth 200 persona ishin arrestuar tashmë.

Ndërsa guvernatori i Brasília-s, Ibaneis Rocha, shkruajti në Twitter se 400 persona janë arrestuar tani në lidhje me sulmet e sotme.

Zyrtari brazilian (Rocha) u shkarkua nga detyra për 90 ditë nga Gjykata e Lartë.

Gjykatësi Alexandre de Moraes e akuzoi atë për dështimin e parandalimit të trazirave dhe për “heshtje” përballë sulmit.

Tubimet pro-demokracisë po thirren nga liderët dhe grupet e majta në të gjithë Brazilin.

Skenat dramatike – të cilat panë mijëra protestues të veshur me bluza dhe flamuj të verdhë të Brazilit, që plaçkitën zemrën e shtetit brazilian – vijnë vetëm një javë pas betimit të Lula-s.

Udhëheqësi veteran i krahut të majtë u detyrua të shpallte fuqi emergjente përpara se të dërgonte gardën kombëtare në kryeqytet për të rivendosur rendin.

Ai urdhëroi gjithashtu mbylljen e qendrës së kryeqytetit – përfshirë edhe rrugën kryesore ku ndodhen ndërtesat qeveritare – për 24 orë.

Dino tha se rreth 40 autobusë që ishin përdorur për të transportuar protestuesit në kryeqytet ishin sekuestruar dhe ai e quajti pushtimin një “përpjekje absurde për të imponuar vullnetin e [protestuesve] me forcë”.

Bolsonaro ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të pranojë se ai humbi zgjedhjet e tetorit dhe javën e kaluar u largua nga vendi, duke mos marrë pjesë në ceremonitë inauguruese, të cilat do ta kishin parë atë të dorëzonte brezin ikonik presidencial.

67-vjeçari – i cili besohet të jetë në Florida – dënoi sulmin dhe mohoi përgjegjësinë për inkurajimin e rebelëve në një postim në Twitter rreth gjashtë orë pasi shpërtheu dhuna.

Duke folur para se të mbërrinte në Brasilia, Lula tha se nuk kishte “asnjë precedent në historinë e vendit tonë” për skenat e dëshmuara në Brasilia dhe e quajti dhunën “akte vandalësh dhe fashistësh”.

Ndër të tjera, ai nuk kurseu forcat e sigurisë, të cilat i akuzoi për “paaftësi, keqbesim ose keqdashje” për dështimin në ndalimin e demonstruesve që të hynin në Kongres.

Videoja e shpërndarë nga gazeta braziliane “O Globo” tregoi disa oficerë duke qeshur dhe duke bërë foto së bashku ndërsa demonstruesit pushtuan kampusin e kongresit në sfond.

Presidenti amerikan Joe Biden shkroi në Twitter: “Unë dënoj sulmin ndaj demokracisë dhe transferimit paqësor të pushtetit në Brazil. Institucionet demokratike të Brazilit kanë mbështetjen tonë të plotë dhe vullneti i popullit brazilian nuk duhet të minohet”.

Disa protestues thyen xhamat, ndërsa të tjerë arritën në dhomën e Senatit, ku u hodhën mbi ulëse.

Videot në mediat sociale tregojnë protestuesit duke tërhequr një polic nga kali dhe duke e sulmuar atë jashtë ndërtesës.

Pamjet e transmetuara nga media kombëtare tregojnë se policia ndalon dhjetëra protestues me bluzat e verdha jashtë pallatit presidencial.

Të dyshuar të tjerë – duart e të cilëve ishin lidhur pas shpine – shihen gjithashtu duke u nxjerrë nga ndërtesa.

Protestuesit ishin mbledhur që në mëngjes në lëndinat përpara parlamentit dhe lart e poshtë kilometrit të rrugës Esplanada, e cila është e mbushur me ministritë e qeverisë dhe monumentet kombëtare.

Shumë po bëjnë krahasime me sulmin ndaj Capitol-it të SHBA-ve më 6 janar 2021 nga mbështetësit e Donald Trump, një aleat i Bolsonaro-s.

Udhëheqësit nga Amerika Latine kanë dënuar gjithashtu dhunën.

Presidenti kilian Gabriel Boric tha se Brazili kishte “mbështetjen e plotë të vendit të tij përballë këtij sulmi frikacak dhe të poshtër ndaj demokracisë”.

Presidenti kolumbian Gustavo Petro tha se “fashizmi [kishte] vendosur të bënte një grusht shteti”.

Ministri i Jashtëm meksikan Marcelo Ebrard tha se Meksika shpreh “mbështetje të plotë për administratën e Presidentit Lula, të zgjedhur me vullnetin popullor”.

Dhe presidenti francez Emmanuel Macron tha se “vullneti i popullit brazilian dhe i institucioneve demokratike duhet të respektohet” dhe premtoi “mbështetjen e pandërprerë të Francës” për Lula-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore