Lajme

Lukashenko urdhëron ushtrinë të jetë në “gatishmëri të plotë luftarake”


Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko thotë se ka dhënë të gjitha urdhrat për të sjellë ushtrinë në gatishmëri të plotë luftarake dhe të gjitha forcat, përfshirë policinë, janë vendosur në gatishmëri të plotë.

Ky vendim ka ardhur pas rebelimit 24-orësh të Grupit Wagner në Rusi dhe tensioneve mes palëve.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Sky News”, duke cituar fjalën e Lukashenko-s para gazetarëve.

Lukashenko thuhet se ishte përgjegjës për ndërmjetësimin e tërheqjes së Wagner-it përpara se t’i ofronte azil liderit të Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Por ai këmbënguli para gazetarëve se as ai, as Vladimir Putin ose Prigozhin nuk duhet të quhen heronj.

“Unë thashë: në asnjë rast mos më bëni hero, as mua, as Putin, as Prigozhin, sepse ne e lamë situatën të na ikte nga duart dhe pastaj menduam se do të zgjidhej vetë, por nuk ndodhi kështu”, shtoi presidenti bjellorus. “Nuk ka heronj në këtë rast”, vërejti ai.

Gjatë fjalimit të tij në Minsk, udhëheqësi i Bjellorusisë tha se ishte “e dhimbshme” të shihje ngjarjet që shpaloseshin në Rusi gjatë fundjavës.

“Nuk do ta fsheh, ishte e dhimbshme të shikoje ngjarjet që ndodhën në jug të Rusisë. Jo vetëm për mua. Sepse Atdheu është një. Historia kujton: Bjellorusët dinë të mbrojnë tokën e tyre. Ne kemi qenë dhe do të jemi më të fortë se çdo sfidë”, theksoi ndër të tjera Lukashenko.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore