Lajme

LSDM pranon dorëheqjen e Zoran Zaev-it


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), pas mbledhjes të së shtunës, të Këshillit Ekzekutiv dhe Kryesisë Qendrore, ka pranuar dorëheqjen e liderit të kësaj partie Zoran Zaev.

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska, ka thënë se zgjedhjet brenda partisë për kryetarin e ri do të mbahen me 12 dhjetor.

“Zgjedhjet do të mbahen me 12 dhjetor, dita e diel. Procesi për kandidim nis nesër dhe do të zgjas 7 ditë. Ndërsa të drejtë për kandidaturë kanë të gjithë anëtarët e LSDM-së që i plotësojnë kriteret sipas statutit të partisë. Të drejtë për të votuar do të kenë të gjithë anëtarët e LSMD-së që në mënyrë aktive do të regjistrohen përmes aplikacionit online”, shtoi Kuzevska.

Kuzeska nuk tregoi nëse Zaev në mbledhje e promovoi Dimitar Kovaçevskin për pasardhës të tij.

“Nuk është diskutuar tema se kryetari i ri i partisë do të jetë edhe mandatari i ri i Qeverisë.” u shpreh ajo.

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzevska

Zaev para anëtarëve të kryesisë së LSDM-së ka shprehur besimin se socialdemokratët, që janë në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit, kanë numrat e nevojshëm dhe se pret që koalicioni qeverisës të zgjerohet edhe me deputetë të tjerë.

Ndërkohë, partia Alternativa me katër deputetë, që konsiderohet si kyçe për forcimin e shumicës parlamentare të LSDM-së dhe BDI-së, ende nuk ka vendosur nëse përfundimisht do të jetë pjesë e Qeverisë.

Kjo parti ka vazhduar bisedimet për programin e Qeverisë, duke përfshirë disa kërkesave, por edhe në ndarjen e përgjegjësive për çështje tjera.

“Alternativa nuk nxitet nga orekset për pushtet dhe marrja e pozitave në qeveri. Ne duam të flasim më shumë për mënyrat për të dalë nga kjo krizë sesa për postet që do të marrim”, ka deklaruar zëdhënësi i partisë Alternativa, Orhan Murtezani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore