Kosova

“Lojërat Mesdhetare 2030” – Selimi: Kosova të bëjë gjithçka për të përfunduar dialogun me Serbinë, përshkallëzimi i situatës është vdekjeprurëse për evenimentin


Petrit Selimi

Kosova të premten fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030. Që ky eveniment të jetë i suksesshëm në organizim, ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, beson se Qeveria e Kosovës quhet të bëjë pikërisht të kundërtën e gjithçkaje që ka bërë deri më tani si në diplomaci e në dialog me Serbinë ashtu edhe në politika të brendshme me organizimin e buxhetit e procesit të prokurimit.

Kosova, sipas Selimit, brenda 7 vjetësh, duhet të jetë bujare, progresive, largpamëse dhe të bëjë gjithçka që është e mundur, për të përfunduar procesin e dialogut me Serbinë, meqë një gjë e tillë është shumë e rëndësishme marrë parasysh faktin se çdo përshkallëzim i situatës me fqinjin veriore, i provokuar nga Serbia apo gabimet tona, do të jetë vdekjeprurëse për organizimin e një evenimenti kaq të rëndësishëm për vendin.

“Suksesi në dialog është gjithashtu i lidhur me Kosovën e cila duhet të tregojë veten si paqebërës në rajon, jo si ngatërrestar. Pra, duhet një qëndrim super miqësor me të gjitha qeveritë ballkanike. Dialogu duhet gjithashtu si një mjet për të rifilluar diplomacinë tonë, aktualisht të vdekur klinikisht, dhe diplomacinë publike”, ka shkruar ai në platformën social “X”.

Sipas diplomatit kosovar, rreth 40 për qind e vendeve pjesëmarrëse në këto lojëra janë nga vendet mos-njohëse të shtetësisë së Kosovës, prandaj të njëjtit duhet të binden për vullnetin super të mirë të Kosovës dhe sigurinë kur të na vizitojnë.

“Kosova duhet të parandalojë çfarëdo kundër-narrative të Serbisë. Komiteti Olimpik Serb e quajti vendimin si ‘skandaloz’”, shton ai.

Gjithë në këtë mes sipas tij dialogu me Serbinë është gjithashtu i rëndësishëm për të siguruar që deri në 2030 Serbia gjithashtu të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare në mënyrë që të mos bëjnë fushatë për bojkot të këtij evenimenti.

“2030 tingëllon larg, por nuk është aq larg. 3 vitet e fundit kjo qeveri ka treguar mungesë përvoje, mungesë aftësish bazë, një paaftësi tronditëse për të përfunduar prokurime në punë apo shërbime publike”.

Kosova për një organizim të mirëfilltë të Lojërave Olimpike, sipas Selimit, duhet të përmirësojë transportin publik, ndoshta edhe të bëjmë projekte radikale si një linjë metroje ose ndonjë hekurudhë urbane.

“5 mijë sportistë do të kenë nevojë për akomodim ashtu qindra tifozë. Sektori privat duhet të jetë aleat. Firmat ndërkombëtare dhe vendore duhet të përfshihen. Ky nuk ka qenë rasti deri më tani pasi kjo është qeveria më armiqësore që kemi pasur ndonjëherë ndaj palëve të interesuara të sektorit privat. Janë ata që do të bëjnë hotele”, thekson Selimi.

Polarizimi dhe antagonizmi ekstrem, beson Selimi, të cilat kanë qenë tipare të kësaj Qeveria duhet të marrin fund për hir të organizimit të duhur të këtij evenimenti ndërkombëtar.

“Gjithçka fillon me përfundimin e çështjeve të hapura. Kosova tani është nën sanksionet e BE-së dhe SHBA-ve. Nuk ka mënyrë më të thjeshtë për të shpjeguar se sa budallenj kemi qenë vitet e fundit, duke shkaktuar zemërimin e aleatëve tanë. Ne duhet të kapërcejmë egon tonë, fisnikëritë banale, shurdhimin diplomatik”.

Zyrtare: Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore